Kualitetet udhëheqëse të kancelarit Scholz sigurisht që nuk do të maten vetëm me suksesin e politikës së tij të jashtme të orientuara kah Azia, por një rol të madh do të luaj edhe stabiliteti i Evropës në fund.
Istanbul
Yunus Mazi
– Autori i shkrimit është kandidat i Ph.D-së në Universitetin e Teknologjisë Chemnitz, Instituti i Shkencave Politike
Në udhëtimin e tij katër-ditor në Azi, kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) dëshiron të ringjallë ambiciet e lidershipit të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare. Së bashku me ministrin gjerman të Ekonomisë, Robert Habeck (Të Gjelbrit), kancelari gjerman dëshiron t’i hapë rrugën një strategjie të re të politikës së jashtme drejt Azisë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Me thellimin e marrëdhënieve me shtetet e ASEAN-it, Gjermania ndjek parimin e “realpolitikës”. Sa i përket vizitës së politikanëve gjermanë në Vietnam, Singapor dhe Indonezi (për samitin e G-20) mund të shihet një ndryshim afatgjatë në strategjinë e politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Azisë Juglindore, veçanërisht ndaj Kinës.
Gjermania po formulon politikë të re ndaj Kinës. Kjo strategji e politikës së jashtme përfshin thellimin e marrëdhënieve me shtetet e ASEAN-it. Kësaj radhe Gjermania dëshiron të veprojë në mënyrë preventive. Aktualisht, Gjermania është shumë e varur nga Kina për shkak të politikës së saj tregtare. Pa dyshim, politika e saj tregtare (volumi tregtar 246,5 miliardë euro në 2021) me Kinën është shumë fitimprurëse për Gjermaninë.
Megjithatë, Gjermania dëshiron të shmangë një krizë tjetër të mundshme si lufta Rusi-Ukrainë. Varësia e njëanshme tek një lojtar global me të cilën marrëdhëniet kërcënohen të rrënohen në çdo moment është një rrezik i lartë, veçanërisht për ekonominë gjermane. Prandaj, udhëtimi i kancelarit Scholz në Azi është vetëm një rezultat logjik për të shmangur një krizë tjetër shkatërruese në politikën e jashtme.
– Diversifikimi i partnerëve tregtarë
Lufta Rusi-Ukrainë shkaktoi pasoja shkatërruese jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë Evropën. Për shkak të efekteve negative në sektorin ekonomik dhe atë të energjisë, Evropa përballet me një nga krizat e saj më të mëdha në të kaluarën e afërt. Për shkak të varësisë së saj nga Rusia, Evropa ishte në këmbë qelqi për një kohë të gjatë. Megjithatë, politika e jashtme e “realpolitikës” e ish-kancelarit Gerhard Schroder (SPD) dhe pasueses së tij Angela Merkel (CDU) përballë Rusisë nuk shkaktoi shqetësime se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Evropës do të arrinin në një krizë të tillë si tani.
Të dy kancelarët arritën të ruanin një ekuilibër midis politikës së jashtme transatlantike, evropiane dhe ruse gjatë periudhave të tyre përkatëse përmes kualiteteve të tyre të shkëlqyera drejtuese.
Qeveria aktuale e koalicionit gjerman e udhëhequr nga Scholz veproi shumë shpejt në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Pasojat që do të shfaqeshin në sektorin ekonomik dhe atë të energjisë nuk u menduan mjaft mirë. Për të kompensuar pasojat e reagimit të tyre të menjëhershëm ndaj luftës Rusi-Ukrainë, Scholz dhe Habeck udhëtuan në Azinë Juglindore për të shmangur paraprakisht gabime të ngjashme. Duke qenë se Gjermania është shumë e varur nga Kina, nëse do të ndodhte një krizë e ngjashme, është e vështirë që Gjermania ose e gjithë Evropa do të mund të ringritej nga ndikimet e një krize të tillë në një periudhë afatshkurtër.
Prandaj, udhëtimet në Azi të politikanëve gjermanë mund të shihen si një qasje ndaj strategjisë racionale të politikës së jashtme. Megjithatë, duhet theksuar gjithashtu se Gjermania nuk veproi sipas parimit të “realpolitikës” në lidhje me menaxhimin e krizës në luftën Rusi-Ukrainë.
– Gjermania përpiqet të rikthejë reputacionin e saj
Nuk është për t’u habitur, se me luftën në Ukrainë dhe rënien që rezultoi në performancën e saj ekonomike, u dëmtua edhe reputacioni i Gjermanisë. Gjermania ishte dhe vazhdon të jetë ende në një pozicion udhëheqës në Bashkimin Evropian (BE). Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, ajo nuk është vetëm qendra ekonomike, por edhe politike e Evropës. Mbi të gjitha, pozicioni i saj gjeografik sjell me vete avantazhet të cilat i mundësojnë të luaj një rol në ekonomi si një shtet tregtar midis Evropës Perëndimore dhe Lindore. Megjithatë, kjo bartë edhe disa rreziqe politike, siç tregoi kriza e refugjatëve në vitin 2015 dhe tani lufta në Ukrainë.
Gjermania u përball me disa kriza, veçanërisht në epokën e Merkelit, si kriza e euros, Brexit dhe kriza e lartpërmendur e refugjatëve. Po ashtu edhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe trazirat e lidhura me të në Ukrainë patën ndikim pak negativ në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Për shkak të këtij menaxhimi të suksesshëm të krizës, jo vetëm vendet anëtare evropiane, por edhe shtetet e tjera botërore kanë pasur pritshmëri mjaft të mëdha nga Gjermania kësaj here. Megjithatë, Gjermania nuk veproi me një sovranitet nën drejtimin e Scholz-it siç veproi në periudhat e Merkelit dhe Schroder-it. Si rezultat, u dëmtua reputacioni i vendit si lider në Evropë. Gjermania gjithashtu hoqi dorë nga ambiciet e saj që të bëhet një lojtar me ndikim në arenën ndërkombëtare.
– Sfida e “reputacionit” të Scholz-it në politikën e brendshme
Jo vetëm Gjermania, por edhe vetë kancelari Scholz dëshiron të rikthejë reputacionin e tij. Scholz është nën presion jo vetëm ndërkombëtar, por edhe brenda vendit. Në sondazhet javore, popullariteti i partisë së tij socialdemokrate po bie në mënyrë të vazhdueshme. Kjo kryesisht është për shkak të performancës jo të qëndrueshme ekonomike të sipërpërmendur dhe rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat të dyja kanë një ndikim të drejtpërdrejt negativ në mirëqenien e popullsisë gjermane. Opozita, CDU/CSU, është në ngritje nën drejtimin e Friedrich Merz-it dhe mund të zëvendësojë SPD-në si parti udhëheqëse në një qeveri koalicioni në zgjedhjet e ardhshme.
Tensionet mund të shihen edhe brenda qeverisë së koalicionit, veçanërisht mes SPD-së dhe të Gjelbërve. Në këtë pikë, duhet theksuar se mendimet e kundërta brenda të Gjelbërve komplikojnë situatën e përgjithshme brenda qeverisë së koalicionit. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe Robert Habeck tani shihen si rivalë brenda të Gjelbërve. Ndërsa Baerbock përfaqëson vlera morale si liria e mendimit dhe të drejtat e njeriut në politikën ndërkombëtare, Habeck përpiqet të ringjallë ekonominë gjermane përmes politikave racionale. Për këtë arsye, Scholz ka një qëndrim të ngjashëm me Habeck, prandaj udhëtimi i përbashkët në Azi nga dy politikanët kryesorë gjermanë nuk është rastësi.
Përmes udhëtimit në Azi, Scholz dëshiron të tregojë ambiciet e tij si lider në arenën ndërkombëtare. Ndryshimi i politikës gjermane ndaj Kinës dhe thellimi i marrëdhënieve me shtetet e ASEAN-it është një ndryshim rrënjësor jo vetëm në politikën e jashtme gjermane ndaj Kinës, por edhe në arenën ndërkombëtare në përgjithësi. Kështu, Scholz do t’i jepte politikës së jashtme gjermane një vulë të re, “sholziane”. Megjithatë, mbetet që të shihet se sa e suksesshme do të jetë kjo strategji. Kualitetet udhëheqëse të Scholz sigurisht që nuk do të maten vetëm me suksesin e politikës së tij të jashtme të orientuara kah Azia, por gjithashtu një rol të madh do të luaj edhe stabiliteti i Evropës në fund.