Në letrën e tij të ftesës, Michel shkroi se krerët e shteteve dhe qeverive do të fillojnë me diskutimin mbi rritjen e çmimeve të energjisë që po “sfidon rimëkëmbjen pas-pandemike dhe që prek rëndë qytetarët dhe bizneset”, transmeton Kosova Post.
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) sot mblidhen në Bruksel për një samit dy-ditor që do të fokusohet në çështjet e sundimit të ligjit, çmimet e energjisë, migracionin dhe në marrëdhëniet e bllokut evropian me Rusinë, shkruan AA.
Në letrën e tij të ftesës, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shkroi se krerët e shteteve dhe qeverive do të fillojnë me diskutimin mbi rritjen e çmimeve të energjisë që po “sfidon rimëkëmbjen pas-pandemike dhe që prek rëndë qytetarët dhe bizneset”.
Pjesërisht me këtë, ata do të flasin për tranzicionin e gjelbër të bllokut evropian dhe marrëdhëniet me furnizuesin kryesor të gazit, Rusinë.
Ata po ashtu do të vlerësojnë situatën me koronavirusin e ri (COVID-19), përfshirë hapat e mundshme kundër ngurrimit dhe dezinformimit për vaksinat, si dhe përshpejtimin e donacioneve të vaksinave për vendet në nevojë.
Michel tha se liderët e BE-së po ashtu do të diskutojnë “zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me Sundimin e Ligjit”, një referencë indirekte për mos pajtimin midis Polonisë dhe Brukselit për epërsinë e ligjit të BE-së.
Liderët do të diskutojnë edhe pasojat e mundshme të një vendimi të fundit nga Gjykata Kushtetuese e Polonisë që vendos në pikëpyetje parësinë e ligjit të BE-së, të cilin presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar si “sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian”.
Nesër, pritet që samiti të fokusohet në migracionin dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të bllokut, përfshirë rritjen e azilkërkuesve në kufijtë e BE-së me Bjellorusinë.
Ky do të jetë samiti i 107-të i Këshillit Evropian dhe i fundit i kancelares gjermane, Angela Merkel, pasi ajo po tërhiqet pas 16 viteve në pushtet.