Super Liga e Evropës, një konkurs klubesh futbolli që supozohej të mblidhte klubet më elitare, njoftoi se e ka pezulluar garën, vetëm dy ditë pasi shpalli me krenari se 12 gjigantë evropianë kishin themeluar një ligë të re, transmeton Kosova Post.
Goditja më e madhe për Superligën u dha nga klubi anglez i drejtuara nga Roman Abramovich, pronari i Chelsit, i cili ishte i pari që njoftoi se klubi nga Londra po largohej nga liga.
Pas tij, klube të tjera nga ishulli si: Manchester United, Manchester City, Arsenal, Tottenham dhe Liverpool njoftuan të njëjtën gjë, dhe drejtuesit e Superligës, përkatësisht Florentino Perez (Real Madrid) dhe Andrea Agnelli (Juventus), njoftuan se liga do të pezullohej deri në njoftimin tjetër.
Ekipi i Interit gjithashtu është larguar nga liga, Milani është në proces largimi dhe klubi i Juventusit bashkë me ato të Spanjës (A. Madrid, R. Madrid dhe Barcelona) janë duke shikuar se në cilin drejtim po të zhvillohet situata.
Në ndërkohë, është publikuar njoftimi i ri i Superligës, në të cilin thuhet se janë duke u menduar hapat e radhës, të cilët mund të çojnë në ndryshimin e projektit.
“Superliga Evropiane është e bindur që status quo-ja aktuale e futbollit evropian duhet të ndryshojë. Ne po propozojmë një konkurs të ri evropian sepse sistemi aktual, nuk po funksionon.
Propozimi ynë synon të lejojë që sporti të përparojë duke krijuar burime dhe stabilitet për të gjithë piramidën e futbollit, duke përfshirë ndihmën në kapërcimin e vështirësive financiare” thuhet ndër të tjera në njoftimin e ri.
Të dielën në mbrëmje, dymbëdhjetë klubet e mëdha evropiane, njoftuan se Super Liga, e ashtuquajtur “ligë e të pasurve”, do të fillojë së shpejti, ndërsa do të merrnin pjesë 20 klube, 15 themelues, dhe pesë që do të ndryshonin çdo vit./KosovaPost/