Surroi: Nuk i bën nder askujt të vë në dyshim votën për transformimin e FSK-së

Surroi: Nuk i bën nder askujt të vë në dyshim votën për transformimin e FSK-së

Javën e ardhshme, më konkretisht më 14 dhjetor, në Kuvend do të votohet për krijimin e Ushtrisë.

Publicisti Veton Surroi, thotë se nuk i bën nder asnjë anëtari të Kuvendit të Kosovës e asnjë force politike të vë në dyshim nevojën për të votuar javën e ardhshme ligjin për transformimin e FSK-së.

“Me këtë , dhe pak raste të ngjashme kemi të bëjmë me interes shtetëror, dhe duhen harruar tërësisht interesat personale apo partiake. Ujqit kanë boll mjegull edhe pa ua krijuar ne!”, ka shkruar Surroi në profilin e tij në Facebook, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se pati vërejtje nga NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Ndërkaq, ambasadori i ri Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha sot se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mëse e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.