Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka suspenduar dy zyrtarë korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 19:00 në Qendrën e Paraburgimit Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e gjykatës dy të burgosur kanë dëmtuar grilën dhe dritaren dhomës, pastaj kanë arritur të ngjitën lart mbi kulmin e Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë.
“Pas shumë kërkesash, kërkesa e tyre kryesore ka qenë, se janë të pakënaqur me gjykatën, me ç`rast kanë kërkuar të bisedojnë me prokurorin, dhe pas bisedës me prokurorin në prezencë të policisë dhe zëvendësdrejtorit të përgjegjshëm të SHKK-së, Rasim Selmani, të njëjtit janë pajtuar të zbresin poshtë”, thuhet në njoftim.
Për shkak të këtij rasti SHKK ka suspenduar dy zyrtarë korrektues, deri te suspendimi është ardhur për shkak të dyshimit se zyrtarët korrektues gjatë kryerjes së detyrës zyrtare kanë shkelur procedurat e sigurisë institucionale.
Lidhur me rastin, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka iniciuar procedure disiplinore dhe ka caktuar Komisionin Hetimor të Brendshëm, i cili do të hetojë rastin në tërësi.