Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar serbët e Kosovës që kanë kohë deri më 31 tetor për kthimin e targave nga ato ilegale në RKS.
Sveçla, me anë të një video-mesazhi në ‘Facebook’ të lëshuar të shtunën në gjuhën serbe, ka thënë se ky proces ofron lehtësira të mëdha, përfshirë lirimin nga taksa doganore, administrative, tarifën për targën dhe atë të pajisjes me certifikatë të regjistrimit të automjeteve, shkruan lajmi.net.
“Të nderuar qytetarë, që ky proces të përmbyllet me sukses, deri në afatin e paraparë më 31 tetor 2022. Andaj, ju bëjmë thirrje që, pa humbur kohë, të shfrytëzoni këtë mundësi. Pas kësaj date, veturat të cilat posedojnë targat ilegale, nuk do të kenë mundësinë të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në pikë kalimet kufitare”, deklaroi ndër të tjera Sveçla.
Deklarimi i plotë i Sveçlës:
Të nderuar qytetarë,
Tashmë ka kaluar një muaj që kur procesi për regjstrimin e targave ilegale në targat legale të Kosovës, RKS. Në të gjithë Republikën e Kosovës, qytetarët veçse kanë filluar regjistrimin e tyre. Procesi dymujor, i cili përfundon më 31 tetor, është një mundësi e fundit që të gjithë pronarët që posedojnë mjete me targa ilegale, t’i kthejnë në targa RKS.
Ky proces ofron lehtësira të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vite, si dhe lirimin nga:
– Taksa doganore;
– Taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve;
– Tarifa për targën dhe
– Tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve.
Gjithashtu, nga tani e tutje, ju mund të regjistroni mjetet me targat e regjionit tuaj në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, pavarësisht vendbanimit ose vendqëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës.
Të nderuar qytetarë, që ky proces të përmbyllet me sukses, deri në afatin e paraparë më 31 tetor 2022. Andaj, ju bëjmë thirrje që, pa humbur kohë, të shfrytëzoni këtë mundësi. Pas kësaj date, veturat të cilat posedojnë targat ilegale, nuk do të kenë mundësinë të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në pikë kalimet kufitare. Liria e lëvizjes, barazia, por dhe sundimi i ligjit në tërë territorin tonë mbetet prioriteti ynë. Andaj, ju ftojmë që deri më 31 tetor, të shfryëzoni këto lehtësira dhe të bëni kthimin e targave ilegalenë targat legale RKS. /ln