Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, foli për marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit me rastin e kalimit kufitar mes dy vendeve,që pritet të zbatohet pas tri orësh.
“Për pak kohë fillon zbatimi që qytetarët e Kosovës shkojnë pa pengesa në territorin e Serbisë. Ky vendim po zbatohet pas 11 vitesh. Tanimë nuk do të mund të maltretohen qytetarët tanë me dokumentacione te ndryshme e të shumta”, tha Sveçla.
Duke komentuar veprimet e skenës politike në Serbi, Sveçla tha se asgjë të mirë nuk presin nga Serbia, duke shtuar se nëse përcjellë skenën politike atje retorika është e njëjta sikurse në kohën e Milloshviqit.
“Ne, si shtet,kemi marrë të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet e sigurisë së Kosovës janë vigjilente dhe të vendosura”.
“Ka një kohë që ka një mobilizim shtesë dhe tani në ballafaqimin e fundit, atje pas vendosjes së barrikadave kemi parë njerëz të uniformuar nëpër rrugët e veriut të Kosovës, brenda një kohe të shkurtë, duke i lënduar edhe disa qytetarë tanë”, tha mes tjerash Sveçla në RTK.
Më tej, Sveçla theksoi se ky ishte një skenar i organizuar nga Serbia dhe realizohej nga njerëz të Serbisë në bashkëpunim me grupet kriminale të veriut të vendit tonë.