Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me atë të Shëndetësisë, Arben Vitia kanë folur nga Aeroporti i Prishtinës pas ardhjes së mërgimtarëve që i shpëtuan aksidentit tragjik në Kroaci.
Sveçla me këtë rast ka falënderuar shtetin dhe popullin kroat për ndihmën e dhënë.
Ai ka thënë se po të mos ishte kjo ndihmë, numri i viktimave do të ishte më i madh.
“Kanë qenë moment të rënda për secilin prej tyre, e po ashtu edhe për ata që kanë ofruar ndihmën në momentet e para, ndihmën e pakursyer. Angazhimi i Kroacisë ka qenë që nga kryeministri e ministrat e linjës, por edhe të gjithë stafit mjekësor atje, si dhe gjithë qytetarëve. Në këtë rast besoj që të gjithë ne duhet të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për këtë ndihmë që shteti dhe populli kroat na ka ofru. Neve jemi të bindur që po të mungonte apo vonohej ndihma e tyre, numri i viktimave do të ishte më i lartë, andaj ne në vazhdimësi iu kemi shprehë falënderimet tona, por besoj se këtë falënderim e kanë ndjerë prej të gjithë shoqërisë”, ka thënë ai, shkruan lajmi.net. Sveçla tutje ka thënë se trupat e pajetë të mërgimtarëve, do të arrijnë herët në mëngjes.
“Të gjitha procedurat për transportimin e viktimave kanë përfunduar. Trupat e tyre janë rrugës duke ardhur në Kosovë dhe besojmë që herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu dhe pastaj duke mbështetur të gjitha familjet do të organizojmë ceremonitë e varrimit. Ne vazhdojmë përkujdesjen për të gjithë të lënduarit që kanë ardhur në Kosovë që kanë ardhur në Kosovë mirëpo edhe për ata që janë në Kroaci”, ka thënë Sveçla.