Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, ka kritikuar qeverinë Kurti për dështimin e mbajtjes së mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendi, duke thënë se qeverisë po i mungon serioziteti për të shtyrë përpara agjendën qeverisëse, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook, Tahiri ka shkruar se mazhoranca e qeverisë po organizohet bashkë duke bërë shkarkime të paligjshme.
“Është zhgënjyese që deri me tash s’qenë në gjendje të sjellin asnjë projektligj për ndryshimet strukturore që i kanë premtuar, a në anën tjetër me sukses të plotë janë bërë një ndërmarrje për punësime familjare”, ka shkruar Tahiri.
Tutje ai i ka bërë thirrje kryekuvendarit Konjufca që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe kontrabandimit të vendimeve të paligjshme.
Postimi i plotë:
Dështimi i mbajtjes së mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit është dëshmi se kësaj mazhorance, i mungon serioziteti për të shtyrë përpara agjendën qeverisëse, si dhe për të përmbushur funksionet themelore institucionale të Kuvendit të Republikës.
Mazhoranca megjithatë, po di të organizohet e të bëhet bashkë kur është fjala për shkarkimet e paligjshme, duke e kthyer institucionin qendror të demokracisë sonë, në një gjyq publik të ndëshkimit të profesionistëve që s’nënshtrohen urdhrave politik të tyre.
Është zhgënjyese që deri me tash s’qenë në gjendje të sjellin asnjë projektligj për ndryshimet strukturore që i kanë premtuar, a në anën tjetër me sukses të plotë janë bërë një ndërmarrje për punësime familjare.
E ftoj publikisht Kryetarin e Kuvendit që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe kontrabandimit të vendimeve të paligjshme.