Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 19 korrik në Bruksel për një raund të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në një nivel të lartë politik,transmeton Kosova Post.
Duke filluar në orën 2 të pasdites, delegacionet, ai i Kosovës dhe Serbisë, fillimisht do të takohen ndaras me ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.
Burimet diplomatike, bëjnë të ditur se bisedimet janë planifikuar të përfundojnë deri në orën18:00 të pasdites, por që “kursi dhe kohëzgjatja” e tyre nuk mund të parashikohen në këtë kohë.
“Ky takim do të përqendrohet në progresin e arritur deri më tani dhe hapat e ardhshëm në dialog, i cili është i rëndësishëm për perspektivat evropiane të Serbisë dhe Kosovës’, thotë zëdhënësi i BE Peter Stano.
Pas njoftimit nga Brukseli se ky “raund i dytë” i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Kurtit dhe Vuçiqit duhet të jetë “i përgatitur mirë” në nivelin e ekspertëve, zëdhënësi i BE Peter Stano, thekson se nuk përfshihen vetëm takime publike në Bruksel.
“Është e rëndësishme që ata të vazhdojnë të flasin dhe të mos ketë asnjë pengesë – theksojnë ata në Bruksel”, ka thënë Stano
Tutje bëhet e ditur se përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak, bazuar në bisedimet e zhvilluara eksperto-teknike dhe konsultat shtesë, do të paraqesë fushat në të cilat mund të bëhet përparim.
Burimet diplomatike në Bruksel, konfirmojnë se të dy palët në dialogun Kosovë-Serbi “e dinë se është e rëndësishme të zgjidhen çështjet e hapura” dhe të arrihet një “konsensus dhe kompromis mbi normalizimin e marrëdhënieve”.
BE, si ndërmjetësi kryesor në dialog, synon të organizojë takime të të dy palëve në Bruksel çdo muaj në mënyrë që të ruajë dinamikën dhe të arrijë qëllimin përfundimtar të dialogut, një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, thanë burimet e Tanjugut brenda BE-së, transmeton Kosova Post.