Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje nga Qendra në Shqipëri, Iliaz Shehu, e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, për t’i bërë diatribë Kryeministrit Edi Rama, shkruan Kosova Post.
Sipas Shehut, i cili është profesori universitar në Universitetin e Tiranës, përkatësisht studiuesi i filozofisë, Rama po e afirmon idenë e një procesi dialogues në mes Kosovës e Serbisë, të zhveshur nga parimet.
Për studiuesin Shehu, një situatë e tillë dialogu, ku suspendohen parimet, siç po e ideon Rama, është e baras-vlefshme me amnistinë të Serbisë nën supozimin e një epilogu ku kjo e fundit do të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë.
Ky është reagimi i plotë i profesor Shehut:
Të nisësh një proces dialogu pa parime me Serbinë, sikundër pretendon Rama, është njëlloj sikur t’i japësh asaj amnistinë, me shpresën se do kërkojë falje. Procesi do ishte i pafundëm! Falja presupozon nisjen e një procesi, nisjen e një rituali, jo rezultatin vetë.
Skenat e faljes janë shpikje ndërkombëtare universalisht të pranuara. Këtë e kemi mësuar që prej shekullit të kaluar. Presidenti Vuçiç nuk do ishte rasti i parë që do shprehte “heartfelt apologies” për krimet e së shkuarës… Kur kryeministri japonez u kërkonte falje koreanëve dhe kinezëve, nuk angazhohej ta bënte thjesht në emrin e tij personal. Sigurisht, njëherë për të shkarkuar nga përgjegjësia perandorin japonez, pastaj për të përfaqësuar një shtet që kishte barrën e aparteidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Japonia nuk mund të bënte përpara pa marrë përgjegjësinë e bëmave të veta. Prandaj, falja nuk është thjesht morale dhe ndjesi personale, por edhe interes. Është koncept juridik dhe, madje, ekonomik. Vetëm kësisoj janë ndërtuar bashkëpunime të frytshme gjeopolitike.
E shkuara është sfondi nga ku trashëgojmë vlerat e së tashmes. Gjithashtu edhe anti-vlerat. Prandaj ekziston kërkimfalja! Një shtet si Serbia që jo vetëm nuk është penduar, por vazhdon me manovra të pacipa ushtarake, më së paku duhet t’i abortojë sjelljet e së shkuarës së saj kriminale.