Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot e ka dërguar për mendim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, përkatësisht peticionin e organizuar për tërheqjen e 30% të mjeteve nga TRUST-i, përcjell Kosova Post.
Bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë, Kryesia e Kuvendi sot ka dërguar në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë.
Kuvendi në qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend. Nuk qe treguar se kur do të nisë shqyrtimi i tij.
Njoftimi i plotë nga Kryesia:
Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhjen e radhës.
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës.
Kryesia procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116”.
Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga TRUST-i nuk pati kaluar në Kuvendin e Kosovës, pas inicimit nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në muajin korrik, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit dorëzuan në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkonin t’i bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.