Tërmeti i rënë në Greqi paraditën e sotme, duket se ka ‘relaksuar’ edhe marrëdhëniet me Turqinë.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu përmes një telefonate, i ka ofruar homologut të tij Nikos Dendias, ndihmën e Turqisë.
“Në një telefonatë, Cavusoglu përcolli solidaritetin për Greqinë pas tërmetit që goditi Greqinë qendrore dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar mbështetje nëse lind nevoja”, njofton ministria e jashtme greke.
Një tërmet i fuqishëm goditi pak më parë zonën e Larisas në Greqi. Lëkundjet e tërmetit ishin tepër të forta aq sa u ndjenë edhe në jug të Shqipërisë. Ato zgjatën për disa sekonda duke shkaktuar alarm tek banorët, por fatmirësisht nuk raportohet për viktima.
Kujtojmë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë kanë qenë vazhdimisht të tensionuara, ku nuk kanë munguar as ‘deklaratat e luftës’/Gazeta SHQIP