E përditshmja amerikane “New York Times” tha se Turqia është i vetmi vend që ofron mundësi për miliona sirianë të prekur nga persekutimi i regjimit të Bashar Al-Asadit, transmeton Kosova Post.
Gazeta “New York Times”, e cila po bënte vëzhgime në Afrin të Sirisë dhe në kampe refugjatësh pranë qytetit, raportoi se refugjatët që u larguan nga sulmet e Bashar Al-Asadit dhe që u strehuan në kufirin turk po prisin për ndihmë humanitare ndërkombëtare.
Gazeta botoi një artikull të gjerë në lidhje me vëzhgimet, ku përshkruan Afrinin, i cili kohët e fundit është goditur nga sulmet me bomba nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK dhe kampet e refugjatëve në zonat e qytetit afër kufirit me Turqinë.
Më 20 janar 2018, Forcat e Armatosura Turke e filluan Operacionin e koduar “Dega e Ullirit” për të spastruar rajonin nga organizata terroriste YPG/PKK.
“Sot sirianët, të cilët mbrohen nga Forcat e Armatosura Turke, janë të kënaqur që, përkundër të gjitha vështirësive, turqit ndodhen aty”, shkruhet në gazetë.
Në artikullin e botuar nga Charlotta Gall, shefja e zyrës së gazetës në Turqi në mes tjerash shkruhet: “Ndërkohë që bota është e hutuar për fundin e luftës civile siriane 10-vjeçare, Turqia është forca e vetme ndërkombëtare që ndodhet në rajon për të mbrojtur rreth 5 milionë civilë të zhvendosur dhe në gjendje të vështirë”.
“Turqia i ka dhënë fund mungesës së energjisë elektrike me vite duke lidhur qytetin me rrjetet e saj të energjisë elektrike, në këtë rajon përdoren linjat turke të telefonisë celulare dhe paratë turke, ndërsa janë regjistruar rreth 500 kompani siriane për tregti në kufi”, thuhet në mes tjerash në artikullin e gazetës.
Zëvendësprefekti i Hatay Orhan Akturk, opinionet e të cilit u përfshinë në artikull, tha: “Qëllimi ynë është të normalizojmë më tej jetën e tyre. Ne sigurojmë që shkollat dhe spitalet të qëndrojnë të hapura në mënyrë që njerëzit të kthehen në jetë normale”.
Lidhur me sulmet me bomba në qytet, Akturk tha se ata zbuluan që automjetet e përdorura për këto sulme ishin marrë me kamionë nga rrethi Menbixh, që mbahet i okupuar nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK.
Duke folur për gazetën, anëtari i këshillit vendor Said Suleiman vuri në dukje nevojën për më shumë ndihmë humanitare ndërkombëtare krahas asaj që ofron Turqia, ndërsa në artikulli u tërhoq vëmendja që “Turqia është i vetmi vend që ofron mundësi për miliona sirianë”./trt.net/