Një grup organizatash joqeveritare, kanë themeluar “Coalition 27”, që për kauzë do të ketë “luftën” për një klimë, energji dhe mjedis më të mirë, transmeton Kosova Post.
Kështu të paktën është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi për media:
“Organizatat e shoqërisë civile si Institute for Development Policy (INDEP), Group for Legal and Political Studies (GLPS), CNVP Foundation, Sustainability Leadership Kosova (SLK), Qytetarët Aktivë dhe WWF Adria, janë bashkuar dhe kanë themeluar për herë të parë në Kosovë grupin Coalition 27, për të punuar së bashku rreth klimës, energjisë dhe mjedisit.”
“Kapitulli 27 (Chapter 27) – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, si një nga kapitujt/standardet që duhet të plotësohen mbulon politikat mjedisore të BE-së të cilat kanë për qëllim të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Ato janë të bazuara në veprimin preventiv sipas parimit ‘ndotësi paguan’, për të luftuar dëmin mjedisor në burim, ndarjen e përgjegjësisë dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat tjera të BE-së” – thuhet më tutje në këtë njoftim.
Bëhet e ditur se takimi zyrtar i këtij grupi, do të mbahet nesër në orën 10:00 në Hotel Sirius në Prishtinë, me ç’rast do të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit, si dhe një komunikatë për media./KosovaPost/