Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka organizuar ceremoninë e hapjes së projektit “Mbështetja e Prodhuesve të Qumështit të Dhisë dhe Produkteve të Saj”, në kuadër të Programit të Mbështetjes në Investimet e Zhvillimit Rural në Kosovë, transmeton KosovaPost.
Në kuadër të këtij projekti, TIKA ka dhuruar donacion pajisje për prodhimin e produkteve të qumështit të dhisë për shoqatën “Gratë e Goshicës”, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ambasadori i Turqisë, Çağrı Sakar, koordinatori i Zyrës së TIKA-së në Prishtinë, Cihan Dinçer, dhe të ftuar të tjerë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u shpreh falënderues për ndihmën e dhënë nga TIKA për shoqatën e grave në Viti, ndërsa tha se shpresojnë të vazhdojnë marrëdhëniet e mira të komunës që ai udhëheq me institucionet turke.
Me investimin e TIKA-s, Haliti tha se do të mundësohet të përpunohet produkti, prodhimi primar, por edhe do të mundësohet rritja e kapaciteteve.
“Sot jemi falënderues për shkak se një njësi përpunuese për djathin e dhisë dhe produkteve të qumështit të dhisë po e bëjmë të re. Dhe kjo është një përkrahje për shoqatat e grave, për prodhimtarinë bujqësore, për përpunimin dhe po rritet natyrisht procesi prodhim-përpunim”, tha Haliti.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, tha se TIKA është një lokomotivë e Turqisë në asistencë zhvillimore.
Sakar tha se shpreson që mbështetja e Turqisë ndaj grave të Gushicës të vazhdojë, në mënyrë që ato të kenë sukses edhe në vazhdim.
“Ky projekt, hapjen e të cilit e kemi bërë sot, është i rëndësishëm në dy aspekte. E para sepse është një mbështetje e dhënë për zhvillimin ekonomik, zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë. Dhe, në anën tjetër, më e rëndësishme është sepse i është dhënë një shoqate të grave”, tha Sakar.
Koordinatori i Zyrës së TIKA-së në Prishtinë, Cihan Dinçer, tha se projekti i TIKA-s pengon shpërnguljen e popullatës nga fshati në qytet dhe përtej Kosovës, dhe ky aspekt, siç tha ai, është shumë me rëndësi.
“Në kuadër të projektit janë dhënë donacion disa pajisje të nevojshme për përpunimin dhe prodhimin e djathtit si laktofriz, pasterizator, tavolinë e punës e të tjerë. E rëndësishme është që projekti ndoshta nuk është shumë i madh, por është projekt që mundëson që këtyre grave, anëtarëve të kësaj shoqate të prodhojnë, të rrisin dhe mbështesin ekonominë e tyre familjare dhe në këtë aspekt të parandalojnë shpërnguljen e mëtutjeshme prej vendit të tyre”, tha ai.
Dinçer tha se edhe pajisjet e dhuruara për këtë shoqatë janë të prodhuara në Kosovë, gjë që “edhe kjo është një mbështetje dhe ndihmë tjetër që i është dhënë Kosovës”.
Para hapjes së projektit, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar ka zhvilluar takim me kryetarin e Komunës së Vitisë në Zyrën e Kryetarit në qendër të qytetit, takim të cilin e konsideruan si “të frytshëm”.(AA)