TIKA ofron ndihmë për Drejtorinë e Zjarrfikësve Tiranë

TIKA ofron ndihmë për Drejtorinë e Zjarrfikësve Tiranë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për institucionet në Shqipëri në shumë sektorë, ku projekti i fundit është për Drejtorinë e Zjarrfikësve Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA ka ofruar ndihmë për këtë institucion të Bashkisë së Tiranës, ku në aktivitetin e dorëzimit të pajisjeve dhe materialeve të ndryshme të dhuruara nga TIKA, merrnin pjesë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, drejtues të Drejtorisë së Zjarrfikësve Tiranë, si dhe të tjerë.

Veliaj në fjalën përshëndetëse në ceremoni theksoi se tek TIKA kanë gjetur mirëkuptim për kërkesat që kanë patur si institucion dhe se TIKA ka ofruar ndihmë në një situatë ku kishte nevojë.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të themi sot është faleminderit. TIKA na ka ndihmuar në një situatë ku ne kishim një nevojë jetike. TIKA-n e kemi patur bashkëpunëtore në shumë prej nismave tona në kopshte, në çerdhe, në këndet e lojërave, tani me pajisjet e zjarrfikësve dhe me mbjelljen e pemëve. Më vjen mirë që ne nuk jemi refuzuar asnjëherë në derën e TIKA-s dhe kjo na bën që me modesti të vazhdojmë të kërkojmë se çfarë mund të bëjmë për të bashkëpunuar më shumë. Ne kemi kuptuar që ndihmë e vërtetë është ajo që është praktike, që është konkrete dhe e dobishme. Më vjen mirë që në këtë vëllazëri që ne kemi me miqtë tanë nga TIKA, ne kemi gjetur ata që na ndihmojnë me gjëra konkrete”, tha Veliaj.

Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, pasja e pajisjeve dhe mjeteve mbrojtëse për zjarrfikësit është çështje jetike.

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës në aktivitet u ndal në projektet e realizuar nga TIKA në Shqipëri që nga viti 1996, ku theksoi se deri tani janë realizuar mbi 400 projekte.

“Sot jam shumë i lumtur që jam në këtë ceremoni. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, midis shqiptarëve dhe turqve janë shumë të mira. Këto marrëdhënie na bëjnë që ne të kemi gjithmonë një bashkëpunim dhe solidaritet sa më të mirë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të gjitha projektet që janë realizuar që nga viti 1996 kalojnë numrin 400. Këto projekte që janë të shpërndarë në sektorë të ndryshëm, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe shërbime sociale, e kalojnë vlerën e 20 milionë eurove. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha Yörük.

TIKA ka dhuruar për Drejtorinë e Zjarrfikësve Tiranë materiale dhe pajise të ndryshme që shërbejnë për punën e zjarrfikësve në terren, si uniforma, çanta shpine për shuarjen e zjarreve, bombola oksigjeni dhe aparate ndriçuese, për 40 punonjës të këtij institucioni. Ndërkohë TIKA i ka dhuruar Bashkisë së Tiranës edhe 250 pemë selvi.

Kujtojmë se edhe rikonstruksioni i godinës së Drejtorisë së Zjarrfikësve Tiranë është realizuar nga TIKA.