Rada Trajkoviq, e zgjedhura si këshilltare e ministrit të ri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se përfshirja e saj dhe e ministrit në qeverinë e Albin Kurtit ka qëllim të zbulohet se cfarë po diskutohet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ajo përsëriti se ky është edhe fillimi i heqjes së kontrollit të plotë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ndaj serbëve në Kosovë, gjë të cilën e konsideron sukses të madh.
“Përfshirja jonë në qeverinë e Kurtit ka për qëllim të kuptojë se çfarë po diskutohet, duke qenë se është një temë krejtësisht e mbyllur jo vetëm për publikun e Serbisë, por edhe për ata që janë të prekur drejtpërdrejt nga ajo, përkatësisht serbët nga Kosova. Lista serbe u mjaftua me atë që thotë presidenti dhe çfarë di presidenti”, ka thënë Trajkoviq në N1.
Duke komentuar takimin e djeshëm të Vuçiqit me emisarin evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ajo tha se mund të merret me mend se çfarë kanë biseduar – për sjelljen e Vuçiqit pas zgjedhjes së Rashiqit për ministër dhe këmbënguljen e tij se ato zgjedhje ishin jolegjitime dhe të paligjshme.
E pyetur se pse ka pranuar të jetë këshilltare në Qeverinë e Kosovës, ajo tregon se mendon se ky është një moment vendimtar.
“Unë shoh që situata po ndërlikohet shumë dhe se ndoshta mund të kem një pasqyrë se çfarë do të ndodhë”. Që të mos ndodhë apo të duket si ajo që u ndodhi serbëve në Krajina…”, tha Trajkoviq.
Trajkoviq, mes tjerash, tha se me ardhjen e saj dhe të Rashiqit, Lista Serbe nuk do ta ketë pushtetin absolut që ka pasur te serbët.
“Lista Serbe zbaton gjithçka që thotë Vuçiq. Një pjesë e pushtetit të Vuçiqit në Kosovë u ndryshua pjesërisht nga zgjedhja jonë. Ai nuk do të mund të marrë më vendime pa na thënë askush”.
E pyetur nëse ajo dhe Rashiq kanë hyrë në konflikt personal mes Vuçiqit dhe Kurtit, Trajkoviq e mohoi dhe përsëriti se dëshira dhe synimi i saj është të zvogëlojë ndikimin e Vuçiqit sa të mundet.
Ajo ka folur edhe për propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se “është pranuar në një masë, me disa ndryshime”.
Trajkoviqi ka thënë po ashtu se do të ishte e turpshme të mbahen zgjedhjet në veri të Kosovës nëse nuk ka asnjë kandidat serb.