Transmetuesi televiziv kinez PPTV, në pronësi të grupit Suning, është urdhëruar t’i paguajë Premier League angleze të paktën 157 milionë paund (rreth 188 milionë euro) nga Gjykata e Lartë e Londrës, për mosrespektimin e marrëveshjeve për të drejtat televizive të kampionatit.
Premier kishte ndërprerë kontratën me gjigantin aziatik në shtator të vitit 2020, pasi PPTV nuk kishte paguar dy këste për të drejtat e blera.
Shkak i mospagesës, sipas Suning, ka qenë pushimi i detyruar prej 100 ditësh për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, si dhe mungesa e tifozëve në stadiume kur ndeshjet rifilluan në qershor. Megjithatë, gjykatësi i hodhi poshtë këto argumente dhe e dënoi Suning të paguajë edhe interesat e tarifat ligjore. Gjykatësi, gjithashtu, theksoi në vendimin e tij se transmetuesi televiziv “nuk ka paguar një shumë të konsiderueshme të tarifave ligjore të mbetura pezull” që u detyrohet avokatëve të tij që nga viti i kaluar.