Nga Meridith Mcgraw & Gabby Orr, Politico
Donald Trump u shpall i pafajshëm në gjyqin e tij të dytë të fajësimit në Senat të shtunën. Se çfarë do të ndodhë më pas me presidentin e 45-të të SHBA-ve, janë thjesht hamendësimet e gjithkujt.
Pas përfundimit të procesit të fajësimit, një pasiguri shfaqet mbi gati çdo aspekt të së ardhmes politike të ish-presidentit, nga kauzat që ai do të përqafojë, tek niveli i tij i ndikimit brenda Partisë Republikane, deri tek mundësia që ai mund të përballet me akuza penale, apo të konstatojë një oreks të zvogëluar të votuesve për një ri-kandidim të mundshëm për president në zgjedhjet e vitit 2024.
Në një deklaratë pas vendimit të Senatit, Trump la të kuptohej se ka në horizont diçka. Por nuk dha më shumë detaje në lidhje me atë që do të ndodhë. “Gjatë muajve në vazhdim kam shumë gjëra për të ndarë me ju, dhe shpresoj të vazhdojmë së bashku udhëtimin tonë të pabesueshëm për të arritur madhështinë amerikane për të gjithë njerëzit tanë. Asnjëherë nuk ka pasur diçka të tillë!”-tha Trump.
Për shumë republikanë, pasiguria mbi të ardhmen e Trump është sa tronditëse, provokuese por edhe paralizuese. Ish-presidenti ka premtuar ta ndihmojë Partinë Repubikane që të rifitojë shumicën në Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Por gjithashtu ai dëshiron hakmarrje ndaj 10 republikanëve në Kongres, që votuan pro fajësimit të tij. Supozohet se ai do të rezervojë të njëjtën sjellje dhe për 7 republikanët në Senat, që votuan të shtunën pro dënimit të tij.
Trump është zotuar që të këmbëngulë për realizimin e një reforme zgjedhore jashtë vendit, pasi ka deklaruar shpesh se mandati i tij i dytë “është vjedhur”. Por në këtë mënyrë, ai rrezikon që të shkaktojë një përçarje të madhe në Partinë Republikane, e cila tashmë ka pësuar një ndarje të fortë mbi akuzat e tij të rreme për manipulimin e zgjedhjeve.
Aleatët e Trump nuk janë të sigurt se sa sukses do të ketë ai në ndonjërën prej këtyre sipërmarrjeve, sidomos pas një impeachment-i shumë emocional që mund të ketë dëmtuar thellë reputacionin e tij.
“Ky gjyq ndikon negativisht dhe jo pozitivisht mbi Trumpin”-thotë ish-këshilltari i Trump Bryan Lanza, duke shtuar se edhe ndikimi i madh i ish-presidentit mbi bazën e Partisë Republikane tashmë ka nisur që të zbehet. “Bota është distancuar prej tij, dhe tani që ai nuk ka Twitter, ky proces po ndodh me ritme më të shpejta”-tha Lanza.
Por të tjerë argumentojnë se pafajësia e Trump, vetëm sa do të çimentojë pozicionin e tij në parti, dhe do të dërgojë një mesazh se Trump – dhe Trumpizmi -do vijojë të jetë forca mbizotëruese në politikën e Partisë Republikane.
“Kjo gjë nuk do ta ndryshojë qëllimin e tij për presidencalet e vitit 2024. Baza e tij do të trimërohet, ndërsa kundërshtarët e tij do ta urrejnë edhe më shumë”- tha një ish-ndihmës i fushatës. Gjatë procesit të dytë të fajësimit të Trump, demokratët në Kongres e përshkruan ish-presidentin si një udhëheqës të pamatur, i cili promovonte teoritë e konspiracionit, kishte prirjen për përdorimin e gjuhës së dhunshme, ku pretendimet e pabazuara të tij për manipulim të zgjedhjeve, nxitën një turmë të mësynte në Capitol Hill, dhe të shkatërronte mjediset, duke kërcënuar të shkatërronte sistemin demokratik të qeverisjes së vendit.
Në fund, kjo mjaftoi për të bindur vetëm 7 senatorë republikanë për ta dënuar Trumpin – shumë më pak se numri 17 që ishte i nevojshëm për ta shpallur fajtor ish-presidentin. Por ndërsa Trump dhe ekipi i tij mund të kenë pretenduar shfajësimin nga akuzat, jo të gjithë republikanët janë në një mendje.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch Mcconnell, votoi për shfajësimin e Trump, duke përmendur shqetësimet e tij lidhur me kushtetutshmërinë e fajësimit të një ish-presidenti.
Por në një fjalim pas votimit, ai e shfaqi hapur përbuzjen ndaj sjelljes së Trump,duke shprehur pikëpamjen e tij se Trump duhet të përballej me pasojat për skenën e kobshme që u zhvillua në Capitol Hill.
“Trump është ende përgjegjës për gjithçka që bëri gjatë kohës që ishte në detyrë. Ai nuk ka shpëtuar. Ne kemi një sistem të drejtësisë penale,kemi një sistem gjyqësor civil. Dhe ish-presidentët nuk janë të imunizuar nga përgjegjësia para ligjit”- theksoi ai.
Pa një mbrojtje ligjore kundër ndjekjes penale federale që kanë zakonisht presidentët në detyrë, Trump përballet me një mori hetimesh mbi sjelljen e tij në detyrë, dhe praktikat e dyshimta të bizneseve të tij.
Javën e shkuar, prokurorët e Xhorxhias njoftuan nisjen e një hetimi të ri mbi përpjekjet e panumërta të Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet, përfshirë një telefonate me tone kërcënuese që ai zhvilloi më2 janar me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.
Ky hetim mund t’i hapë rrugën një padie penale kundër ish-presidentit nga autoritetet shtetërore dhe lokale. Gjithashtu, Trump mund të përballet me akuza penale në Uashington, nëse prokurori i përgjithshëm i qytetit, Karl Racine, vendos të hapë një çështje penale kundër Trump për rolin e tij të pretenduar në trazirat e Capitol Hill.
Thuhet se Racine ishte duke e menduar këtë gjë, edhe përpara se Senati të votonte të shtunën për të shfajësuar Trumpin. Trump ika cilësuar këto padi dhe hetime post-presidencial si mbetjet e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë” – një frazë që ai e përdori edhe për të përshkruar gjyqin e zhvilluar në Senat.
“Është një moment i trishtuar kur shohim sesi një partie politike në Amerikë i jepet leja
për të denigruar sundimin e ligjit, dhe për ta shndërruar drejtësinë në një mjet të hakmarrjes dhe përndjekjes politike, duke e vendosur në listën e zezë, apo duke denigruar njerëzit dhe pikëpamjet me të cilat ata nuk bien dakord”- tha Trump.
Ishte një mesazh që Komiteti Kombëtar Republikan, e përdori për mbledhjen e fondeve të shtunën, dhe që synonte të nxiste unitetin e partisë, edhe kur Trump nuk arriti të siguronte mbështetjen e çdo republikani në Senat.
Kjo gjë mund të duket tani për tani si dëshirë. Por mbase jo plotësisht. Një ditë para votimit, u raportua se senatori Lindsay Graham, do të takohej me Trump në të ardhmen e afërt për të diskutuar rolin e tij në Partinë Republikane dhe në të ardhmen e partisë. abcnews.al