Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani dëshiron të punojë për një marrëveshje më të gjerë paqeje në Lindjen e Mesme, pasi i dha mbështetje planit të tij për të sjellë një armëpushim në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Irani dëshiron të punojë për paqen tani. Ata na kanë informuar dhe kanë pranuar se janë plotësisht në favor të kësaj marrëveshjeje. Ata mendojnë se është një gjë e shkëlqyer, kështu që ne e vlerësojmë këtë dhe do të punojmë me Iranin”, tha Trump, ndërsa po përgatitet të shkojë në Lindjen e Mesme këtë fundjavë.
“Siç e dini, kemi sanksione të mëdha ndaj Iranit dhe shumë gjëra të tjera. Do të donim t’i shihnim ata në gjendje të rindërtojnë vendin e tyre gjithashtu, por ata nuk mund të kenë armë bërthamore”, shtoi ai.
Trump po aludonte në sulmet që ai autorizoi ndaj programit bërthamor të Iranit në qershor, të cilin ai dhe zyrtarët e tij të lartë kanë pohuar se kanë shkatërruar plotësisht çdo aftësi bërthamore të Iranit.
Presidenti i SHBA-së tha gjatë një interviste për Fox News të mërkurën në mbrëmje se Teherani ishte “rreth një muaj, ndoshta dy muaj, larg nga të paturit e një arme bërthamore” kur ai nisi sulmet gjatë luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit.
Më 29 shtator, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.
Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.


























