Shkruan: Donik Sllova
Donald Trumpi është i vetmi president amerikan fotografinë e të cilit çetnikët serbë në krye me Sheshelin e kanë tundur lartë si një idhull në çdo tubim që organizonin.
Trumpi nuk u bë idhulli i ekstremistëve serbë pse ai ishte konservator, sepse republikan më konservator se Trumpi ishte presidenti G.W. Bush, por fotografia e Bushit e as e ndonjë presidenti tjetër nuk u valvit nëpër mitingjet e neofashistëve serbë.
Shkurt, Trumpi është presidenti më pro-rus që ka pasur Amerika që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Duke qenë pro-rus Trump ishte edhe pro-serb, prandaj serbo-amerikanët nën udhëheqjen e Vuçiqit mblodhën miliona dollarë për fushatën zgjedhore të Trumpit, përgatitën festime madhështore në Beograd në rast të fitores së tij dhe u shprehën shumë të pikëlluar për humbjen e tij, ndërkohë që bota liberal-demokratike perëndimore po festonte. Shto këtu edhe gjenezën e tij politike raciste, anti-islamizmin e tij dhe fanatizmin e krishterë (jo se Trumpi është një njeri me etikë të krishterë, madje si kapitalist i show-bizit ai është larg çdo etike religjioze, por krishterizmin ai e përdorte si instrument politik kundër vlerave politike liberale perëndimore siç ështe NATO apo BE), Trumpi paraqiste idealin e politikanit amerikan me të cilin serbët do donin ta zgjidhnin “çështjen e Kosovës”.
“Kosova një shtet musliman, i krijuar nga politika e Bill Clintonit përmes bombardimit të NATO-s” ishte panorama që serbët permes Grenellit ia paraqiten Trumpit. Dhe gati po e merrnin zgjidhjen që po synonin, ndarjen e Kosovës sipas planeve te vjetra të qarqeve nacionaliste serbe. Politikanët e korruptuar të klasës së vjetër politike në Kosovë ishin të gatshëm që për hir të interesave pushtetore t’i nënshtroheshin Grenellit, përkatësisht Vuçiqit, e rrëzuan qeverinë demokratike Kurti, e hoqën Reciprocitetin ndaj Serbisë dhe u nisën në Washington për t’ia mundësuar një presidenti të Serbisë që edhe brenda Zyrës Ovale ta mohonte pavarësinë e Kosovës.