Mijëra mbështetës të ish-presidentit Donald Trump janë mbledhur në Arizona lidhur me zgjedhjet në ShBA që pritet të mbahen në nëntor. Ish-presidenti ka dhënë përgjigje për 6 janarin, zgjedhjet dhe ka folur për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë në 2024.
Tetë muaj përpara zgjedhjeve të mesme në ShBA për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ish-presidenti Donald Trump, ka mbajtur një tubim me mijëra mbështetës të tij në Arizona.
Trump është shprehur optimist për zgjedhjet në nëntorin e këtij viti, ai ka deklaruar se republikanët do të marrin edhe Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
“Ky është viti që ne do të rimarrim Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ne do të rimarrim Amerikën dhe kjo është kaq e rëndësishme. Në vitin 2024 ne do të rimarrim Shtëpinë e Bardhë”, raporton “Oranews”.
Trumpi është ndalë edhe te 6 janari i vitit 2021 për të cilën po hetojnë disa komisione të propozuar nga demokratët.
Trumpi ka risjellë në vëmendje zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ku ai ka ripohuar se ato janë vjedhur dhe në fakt, hetimet duhet të përmbaheshin tek zgjedhjet, pasi kryengritjet të cilat janë finalizuar në 6 janar, ishin si pasojë e 3 nëntorit.
Trumpi ka kritikuar edhe rivalin e tij në zgjedhjet e fundit, presidentin Joe Biden, për të cilin tha se është një fatkeqësi për vendin.
“Të gjithë e dinim që Joe Biden nuk do të ishte i mirë, por pakkush mund ta mendonte se do të ishte një fatkeqësi për vendin. Çfarë kanë bërë demokratët?! Inflacioni është më i keqi në 40 vjet. Çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind, raftet e ushqimeve nëpër dyqane janë bosh”, ka thënë ai.
Trumpi, i cili ka shprehur se do të rikandidojë në 2024 është ndalë edhe te vaksinimi me detyrim i punonjësve, i cili është hedhur poshtë pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë.
Konservatori i riquajtur mandatet e vaksinave shkatërrimtare absolute për ekonominë.