Deklaratat që Romelu Lukaku dha për Interin në prag të festave, kanë bërë që situata e tij te Blutë e Londrës të mos jetë aspak e qetë.
Me gjithë mbledhjen e bërë dhe akordin që u deklarua se u arrit mes palëve, së fundmi ka ardhur një tjetër ndëshkim nga klubi dhe vetë trajneri për qendërsulmuesin.
Në vigjilje të përballjes me Brihghton, trajneri i Chelseat është rikthyer të flasë edhe për çështjen e sulmuesit belg, me doza të shtuara referuar irritimit që pati pas humbjes me Manchester City.
“Është një lojtar i rëndësishëm dhe duam që të sillet si i tillë edhe në fushë, por sipas meje po bën një sjellje të gabuar”, tha fillimisht trajneri i Chelsea. Tuchel në fjalën e tij ka deklaruar se skuadra nuk mund të vihet në shërbim të sulmuesit, cilido qoftë ai.
“Është një sport kolektiv dhe skuadra nuk mund të vendoset në shërbim të një individi. Nuk mund të vendosen dhjetë futbollistë në shërbim të Lukakut. Chelsea nuk do ta bëjë, pasi nuk është më futboll nëse ndodh diçka e tillë”, ka deklaruar Thomas Tuchel.