Turqia kritikoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për komentet e tij kundër Ankarasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, transmeton KosovaPost.
“Fatkeqësisht, kjo deklaratë ishte një shembull tjetër i shtrembërimit të fakteve dhe narrativës armiqësore kundër Turqisë. Roli i Turqisë në rajonin e saj dhe më gjerë vlerësohet mirë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha delegacioni turk në vlerësimin që i bëri fjalimit të Mitsotakisit.
Reagimi erdhi pasi kryeministri grek të premten tha para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York se Turqia “vazhdon të luajë një rol destabilizues në Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme dhe Kaukaz”.
Delegacioni turk tha më tej se Ankaraja ka zbatuar sanksionet e obliguara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Është “standard i dyfishtë të akuzosh Turqin se nuk ka vendosur sanksione, ndërsa vetë Greqia i anashkalon sanksionet e tjera nëpërmjet praktikës së operacioneve të transferimit të naftës nga cisterna në cisternë”, theksoi delegacioni.
Delegacioni tha gjithashtu se Turqia nuk sfidon integritetin territorial apo unitetin e Greqisë, duke e quajtur atë një “një propagandë të rreme”.
“Megjithatë, Turqia sfidon Greqinë që të hyjë në një dialog të ndershëm dhe kuptimplotë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të adresuar jo një, por të gjitha mosmarrëveshjet e ndërlidhura legalisht të Egjeut”, thanë ata.
Në reagim u tha gjithashtu se Greqia ka kërcënuar Turqin me zgjatjen e njëanshme të kufijve detarë territorialë prej gjashtë metrash në Detin Egje që nga qershori 1995.
“Ky kërcënim i rëndë është përforcuar kohët e fundit me militarizimin në rritje të ishujve të Egjeut Lindor në kundërshtim me traktatet ndërkombëtare”, tha delegacioni turk.
“Atmosfera aktuale negative” në marrëdhëniet Ankara-Athinë është “zgjedhje e qëllimshme e Greqisë”, thanë ata.
“Ata kanë zgjedhur veprime provokuese dhe retorikë përshkallëzuese pothuajse në baza ditore, në krahasim me bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë. Është pala greke ajo që ka ngrirë bisedimet dypalëshe dhe të NATO-s për Masat e Ndërtimit të Besimit”, u tha më tej.
Delegacioni i bëri thirrje gjithashtu Greqisë që të ndalojë kthimin e migrantëve në Detin Egje.
Qëndrimi “degradues dhe kërcënues për jetën” i Greqisë ndaj migrantëve të parregullt është dokumentuar jo vetëm nga Turqia, por edhe nga shumë organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare, thanë ata.
“Turkiye do të vazhdojë të mbështesë popullin qipriot turk dhe të drejtat e tyre të qenësishme, përkatësisht barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar”, theksoi delegacioni turk./AA