Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë ka bërë të ditur se ka thirrur diplomatin bjellorus lidhur me “ndërhyrjen” në territorin polak të “individëve me uniformë të armatosur me armë me tyta të gjata”, trnamseton Anadolu Agency (AA).
Ushtarët polakë vunë re tre persona me uniformë me armë me tyta të gjata në territorin e Polonisë, tha Stanislaw Zaryn, zëdhënës i shërbimeve të sigurisë së Polonisë.
“Pasi takuan një patrullë polake, ata rimbushën armët e tyre dhe më pas u nisën drejt Bjellorusisë”, tha Zaryn.
Incidenti erdhi pasi Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian, përballet me presion të konsiderueshëm të emigracionit në kufirin e saj lindor me Bjellorusinë. Ky kufi është pjesë e kufirit lindor të BE-së me Bjellorusinë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Łukasz Jasina, tha se incidenti ndodhi natën mes të hënës dhe të martës. Ai tha se i ngarkuari me punë i Bjellorusisë, Alexander Chesnovsky, u thirr të martën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë.
Gjatë takimit, zëvendësministri i Jashtëm, Piotr Wawrzyk, kërkoi shpjegim dhe theksoi “se veprimet e ndërmarra nga autoritetet bjelloruse në javët e fundit kanë shenjat gjithnjë e më të dukshme të një përshkallëzimi të qëllimshëm”.
Wawrzyk “vuri në dukje se Polonia i konsideron veprime të tilla të papranueshme dhe nuk do t’i tolerojë ato. Ai theksoi se Polonia është e vendosur të mbrojë kufijtë e saj dhe kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian”, tha Jasina në deklaratën e tij.
Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë prononcim nga pala bjelloruse.
Në muajt e fundit, mijëra emigrantë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Afrika janë vendosur në Bjellorusi me viza turistike dhe janë inkurajuar të kalojnë në Poloni, Lituani dhe në një masë më të vogël në Letoni, tre vendet e BE-së në kufi me Bjellorusinë.
Udhëheqësit polakë dhe të tjerë të BE-së kanë akuzuar qeverinë e Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, e cila mbështetet nga Moska, për inkurajimin e emigrimit si një formë e luftës hibride që synon krijimin e destabilitetit në rajon dhe BE.