Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka reaguar pas raportimit nga Gazeta Insajderi që implikon bashkëshortin e kryediplomates Meliza Haradinaj-Stublla, Dardan Stubllën për blerje votash, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook, Elshani është shprehur i shokuar nga ky rast, teksa ka thënë se do të kërkojë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet, siç thotë ai, “të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve”.
Tutje, ai ka thënë se ai si përfaqësues i KQZ’së, bashkë me të tjerët, nuk do lejojë që të cenohet institucioni në fjalë.
Postimi i plotë:
Jam i shokuar nga video-inçizimet të cilat shpërfaqin tendencat për manipulimin rezultateve të kandidatëve dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Si përfaqësues i Partisë Demokraitke të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori.
Si KQZ përgjatë gjithë këtij procesi zgjedhor kemi qenë të angazhuar në integritetin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e kredibilitetit të ndërtuar ndër vite të KQZ-së, andaj nuk do të lejojmë që askush në asnjë formë të baltosë e të cenoj këtë institucion që ka për obligim të ruaj dhe të paraqes saktë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.