Deputetja nga radhët e AAK-së Albena Reshitaj, thuhet që ka vendosur ta lë partinë e vjetër dhe t’i bashkohet listës së Vjosa Osmanit, shkruan Kosova Post.
Ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare, në rrjetet sociale po qarkullon informacioni se ajo ia ka dhënë tashmë lamtumirën partisë së vjetër.
“LAJMI I FUNDIT: Albena Reshitaj përshëndetet me AAK-në, kalon në listën e Vjosa Osmanit.
60 deputet shqiptar tashme jane pjes e POZITES!” – ka shkruar Emir Sali, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Por ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë lajm.
Në fakt, deputetja Reshitaj, ka paralajmëruar për një hap të tillë, në një prononcim për Front Online:
“Nëse më injorojnë mua, injorojnë reformat brenda partisë. Sepse një mendim ndryshe, brenda për brenda, është i domosdoshëm. Vazhdoj të besoj që reformat politike i nevojitën edhe AAK-së. Unë jam pjesë e reformës, varet se si e shohin ata. Pres reflektimin e liderit, Ramush Haradinaj. Nuk ndihem e injoruar, derisa kam vepruar drejt. Nëse nuk e shohin si pjesë të mundësisë për të kontribuar brenda subjektit politik, normalisht që më duhet të mendoj për të ardhmën time politike”, është shperhur Reshitaj.
Agjencia e Lajmeve Kosova Post, ka provuar ta konfirmoj lajmin duke e kontaktuar AAK-në, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, gjatë ditës ka qenë i pamundur kontaktimi i disa prej zyrtarëve të lartë të AAK-së.
Siç dihet, raportet e deputetes Rashitaj me partinë, janë përkeqësuar që nga koha e përzgjedhjes së institucioneve të reja. Ajo, përkundër qëndrimit të partisë, pat vendosur që të qëndrojë në sallën e kuvendit, për ta votuar (atëbotë), kandidaten për presidente të Republikës së Kosovës, zonjën Vjosa Osmani.
As bashkëpunëtorët e afërm të Vjosa Osmanit, nuk kanë dhënë përgjigje të qartë rreth çështjes. Se a është i vërtetë lajmi, mbetet të shihet ditëve në vijim./KosovaPost/