Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – SHSKUK, në një sqarim për opinionin ka reaguar ndaj zyrtarëve publikë të cilët kanë deklaruar se “po fshehen vdekjet në pandemi”.
Sipas njoftimit, të gjitha rastet e vdekjeve që ndodhin brenda institucioneve të ShSKUK-së (QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme), raportohen në mënyrë të rregullt dhe sipas procedurave të përcaktuara.
”Secili rast i vdekjes që ndodhë në ShSKUK, raportohet menjëherë (në kohë reale) nga mjeku qe konstaton vdekjen. Raportimi bëhet në Qendrën Operative e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrën për Kontrollë dhe Parandalim të Sëmundjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Këto të dhëna përpunohen nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe publikohen në një raport të plotë ditor, raporti përfshinë të dhënat për geupmoshat dhe qytetet”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
ShSKUK-ja ka ftuar të gjithë zyrtarët publik që të kursehen nga deklaratat e pamatura të cilat mund të shkaktojnë konfuzion e panikë tek qytetarët.
Kujtojmë se pronari i kompanisë që merret me transportin e kufomave nga COVID-19 në SHSKUK, së fundmi ka konfirmuar për lajmi.net se ka mos-përputhje të shifrave të vdekjeve ditore mes kompanisë në fjalë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga kjo kompani kanë deklaruar se në ditën kur MSH-ja ka raportuar se janë regjistruar 36 viktima nga COVID-19, në fakt po atë ditë kanë qenë 42 viktima, por se kanë deklaruar se regjistrimi i viktimave nga MSH-ja bëhet më ndryshe dhe jo në kohë reale.