Ukraina më në fund po siguron armët e shumëkërkuara për të sprapsur ofensivën ruse në territorin e saj.
Pas Shteteve të Bashkuara edhe Britania e Madhe njoftoi se do të dërgojë sisteme të shumëfishta raketore në shtetin e zhytur në luftë, për ta ndihmuar të mbrohet kundër Moskë, sic tha sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Në një deklaratë të mëvonshme nga zyra e punëve të jashtme në Londër, sqarohet se Britania e Madhe do të dërgojë raketa hedhëse M270, në gjendje për të goditur shënjestra deri në 80 km largësi.
“Sistemet raketore do t’i fuqizojnë në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet e forcave ukrainase. Një lëvizje e tillë është koordinuar ngushtë më vendimin e SHBA për të dërguar në Ukrainë sistemet Himars, një variant i raketahedhëseve të shumëfishta që Britania e Madhe do t’i dhurojë Ukrainës”
Autoritetet në Britaninë e Madhe thonë se municionet me kapacitet të lartë do të lejojnë miqtë ukrainas, të mbrohen nga përdorimi brutal i artilerisë me rreze të gjatë veprimi që forcat e Putinit kanë përdorur për të rrafshuar qytete.
Pasi Shtetet e Bashkuara bënë të ditur vendimin për të dërguar sisteme të avancuara në Ukrainë, Moska i akuzoi se po i hidhnin benzinë zjarrit. Në një deklaratë, ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha se ku ishte një provokim i drejtpërdrejtë që mund të çonte në zgjerim të konfliktit.
“Kërkesat e regjimit të Kievit për pronarët e vet perëndimorë i tejkalojnë të gjitha kufijtë e mirësjelljes dhe marrëdhenieve diplomatike dhe janë një provokim direkt për të tërhequr perëndimin në luftë”, tha Lavrov.
Megjithatë, shefi i NATO, Jens Stoltenberg tha për CNN se nuk parashikon ndonjë veprim hakmarrës nga Rusia.
“Nuk do të ndodhë, pasi ajo që NATO dhe aleatët po bëjnë, është ofrimi i mbështetjes për Ukrainën në mënyrë që të vetëmbrohet”, ishin fjalët e Stoltenberg.
Kievi ka dhënë garanci se nuk do t’i sulmojë territoret ruse, por Kremlini dyshon në vërtetësinë e pretendimeve.a2cnn.