Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës i bëri thirrje Iranit që të përmbahet nga çdo deklaratë apo hap që do nxisë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, transmeton KosovaPost.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko reagoi ndaj deklaratave të qeverisë iraniane që “justifikojnë në mënyrë indirekte agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.
“Që nga fillimi i luftës së hapur nga Rusia, Irani ka deklaruar hapur neutralitetin e tij. Bëri thirrje për armëpushim dhe zgjidhje politiko-diplomatike. Në këtë kontekst, pala ukrainase është e shqetësuar për ndryshimin e retorikës së qeverisë iraniane”, tha ai.
Nikolenko tha se mbyllja e syve ndaj veprimeve agresive të Rusisë jo vetëm që inkurajon Rusinë të vazhdojë luftë të pajustifikuar kundër popullit ukrainas, por gjithashtu hedh bazat për destabilizimin e paqes dhe sigurisë në pjesë të tjera të botës.
“Të gjitha akuzat në lidhje me përgatitjen e supozuar të sulmit (të Ukrainës) ndaj Rusisë janë të pabaza dhe manipuluese. Ne i bëjmë thirrje palës iraniane të përmbahet nga çdo deklaratë apo hap që do të nxiste agresionin rus kundër Ukrainës”, tha Nikolenko./AA