Organizata Botërore e Shëndetësisë bashkë me UNICEF-in, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për shtyp, me anë të së cilës kanë bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, shkruan Kosova Post.
“Pandemia COVID-19 është një përkujtues i tmerrshëm i kaosit që shkaktohet nga sëmundjet” – thuhet ndër të tjera në komunikatë, duke ua bërë të ditur qytetarëve rëndësinë e vaksinimit.
Kjo është komunikata e plotë:
Prishtinë, 24 prill 2021 – Pandemia COVID-19 është një përkujtues i tmerrshëm i kaosit që shkaktohet nga sëmundjet. Falë vaksinave, tani e kemi një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj pandemie dhe për ta rindërtuar jetën tonë. Por nuk mjaftohemi me këtë për t’u kthyer në normalitet, pasi që normaliteti nuk ka qenë asnjëherë mjaftueshëm i mirë për miliona fëmijë anembanë botës. Asnjë fëmijë nuk duhet të vdesë nga sëmundjet e parandalueshme dhe nuk do të ndalemi derisa kjo të bëhet realitet.
Kjo Javë e Imunizimit ka për synim ta promovojë përdorimin e vaksinave për t’i mbrojtur individët e të gjitha moshave kundër sëmundjeve. Imunizimi shpëton miliona jetë çdo vit dhe njihet gjerësisht si një prej ndërhyrjeve më të suksesshme shëndetësore në botë.
Megjithatë, sot ende mbesin afro 20 milion fëmijë në botë të cilët nuk janë duke i marrë vaksinat që iu duhen dhe shumë prej tyre i humbasin vaksinat jetike gjatë adoleshencës, moshës madhore dhe në moshën e shtyer. Në Kosovë, vetëm 38% e fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian nën moshën 3 vjeçare janë të imunizuar plotësisht dhe të sigurt nga sëmundjet e parandalueshme përderisa të gjithë të tjerët janë në rrezik. Po ashtu, ka fëmijë që nuk i kanë marrë vaksinat e tyre të rregullta pasi që sistemi shëndetësor u mbingarkua për shkak të pandemisë.
Zyra e UNICEF-it në Kosovë në partneritet me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe, u bashkua me OJQ-të lokale për ta realizuar fushatën e vaksinimit derë më derë për familjet më të margjinalizuara. Për më pak se 8 muaj, punëtorët shëndetësorë vizituan mbi 4,000 familje të identifikuara dhe imunizuan 2,859 fëmijë që nuk i kishin marrë vaksinat e rregullta gjatë pandemisë COVID-19.
Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha “Imagjinoni botën pa vaksinën kundër polios, fruthit dhe shumë sëmundjeve të tjera të transmetueshme. Shumë fëmijë dhe familje nuk do të kishin mundësi të jetonin të lumtur e të shëndoshë. Dhe COVID-19 na ka përkujtuar fuqishëm se sa të rëndësishme janë vaksinat për të shpëtuar mijëra jetë. Ne jemi të përkushtuar për të punuar me institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që çdo fëmijë të imunizohet plotësisht”.
OBSH në Kosovë thekson se tani kemi vaksina për të parandaluar më shumë se 20 sëmundje që kërcënojnë me jetë, duke iu ndihmuar individëve të të gjitha moshave të jetojnë jetë më të gjatë e më të shëndoshë. Imunizimi aktualisht parandalon 2-3 milion vdekje çdo vit nga sëmundjet si difteria, tetanozi, pertusi, gripi dhe fruthi. Imunizimi është përbërësi kyç i kujdesit parësor shëndetësor dhe një e drejtë e padiskutueshme e njeriut. Është po ashtu njëra prej investimeve më të mira shëndetësore që mund të blihet me para. Vaksinat janë po ashtu kritike për parandalimin dhe kontrollimin e përhapjes së sëmundjeve infektive. Ato e përforcojnë sigurinë globale shëndetësore dhe do të jenë mjet jetësor në betejën kundër rezistencës antimikrobiale.
Në Kosovë, së bashku me UNICEF-in, OBSH-ja po siguron vaksinat kundër COVID-19 përmes programit COVAX dhe po i ndihmon sistemit shëndetësor për ta përgatitur dhe udhëhequr më mirë programin e imunizimit për t’i ndihmuar popullit të Kosovës në luftën kundër përhapjes së paprecedentë të COVID-19.
Përderisa pandemia vazhdon të ketë efekt të rëndë në shërbimet esenciale për fëmijët, duke përfshirë imunizimin, UNICEF-i dhe OBSH-ja në Kosovë u bëjnë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve të veprojnë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Vaksinat Shpëtojnë Jetë.