Në rastin ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka urdhëruar Policinë e Kosovës (PK) të sigurojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saj, ndër të tjera, për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin (e mundshëm) të përkohshëm të tre të lartpërmendurve.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), PK-ja duhet t’i ofrojë këto informacione brenda periudhës prej dy javësh, nga njoftimi i përkthimit të këtij urdhri në gjuhën shqipe.
“Duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të sigurojë informacion”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake.
Aty thuhet se informacioni nga gjyqtari paraprak është kërkuar në lidhje me: (i) autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, të monitorojë dhe kufizojë komunikimin e këtyre individëve, të administrojë arrestin shtëpiak dhe zbatueshmërinë e kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm; dhe (ii) rastet e mëparshme të zbatimit të kushteve që lidhen me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda, raporton “Betimi për Drejtësi”. “Përveç kësaj, Policia e Kosovës mund të japë çdo informacion shtesë që konsiderohet i rëndësishëm në lidhje me zbatimin e lirimit me kusht. 9. Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose tjetër që pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do të ngrihet menjëherë te Gjyqtari i Procedurës Paraprake”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit Guillou.