Kryemiftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka shprehur urimet e tija dhe të insititucionit që ai drejton me rastin e datëlindjes së profetit Muhammed a.s.
Ky është dedikimi i plotë i Tërnavës
Të nderuar besimtarë e qytetarë të Kosovës!
Kam nderin e privilegjin e madh që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal në këtë natë të bekuar të përvjetorit të lindjes së hasreti Muhamed Mustafasë, Pejgamberit të njerëzimit dhe të dërguarit të Paqes, të uroj të gjithë besimtarët myslimanë anekënd globit që këtë natë të madhe ta kalojmë në ibadet e falënderim ndaj Krijuesit për dhuratën më të çmuar për mbarë njerëzimin, të cilën Allahu në Kuranin fisnik e cilësoi si Mëshirë për mbarë botët.
Lindja e Pejgamberit tonë të dashur është ngjarja më madhështore që ka ndikuar në ndryshimin e rrjedhave të historisë njerëzore. Ai nxori njerëzimin nga errësira e injorancës në dritën e besimit përmes adhurimit të Krijuesit të vërtetë. Përmes shënimit të kësaj ngjarjeje madhështore, besimtarët myslimanë anekënd globit shprehin respektin e dashurinë për Pejgamberin – Muhamedin a.s..
Me këtë rast, i bëj thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që t’i përmbahen moralit të Muhamedit a.s., t’i vejmë në zbatim mësimet e tij, ta ndjekim traditën dhe të frymëzohemi nga jeta e tij, sepse Muhamedi a.s. vërtet është modeli ideal që ne duhet ndjekur e pasuar në të gjitha punët gjatë jetës tonë në këtë botë.
Dashuria që kemi në zemrat tona ndaj Muhamedit a.s. na shtyn që në vazhdimësi të tubohemi e ta rikujtojmë personalitetin e tij dhe këtë traditë të popullit tonë duhet vazhduar e kultivuar me respekt e devotshmëri, ngase me këtë kujtojmë të dashurin e Allahut dhe misionin e tij fisnik.
Në këtë natë të bekuar lus Allahun Mëshirëplotë, të bekojë të gjithë myslimanët anekënd globit dhe gjithë njerëzimit t’i dhurojë mirësi e mirëqenie dhe të begatojë botën me paqe, siguri e stabilitet.
Duke Ju dëshiruar shëndet, paqe, mbarësi e lumturi, më lejoni që edhe një herë t’ju uroj e përgëzoj me rastin e Mevludit!
Me respekt,
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava