Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova tha se sipas raporteve të inteligjencës që posedojnë, ushtarët rusë që tani janë pajisur me antidot për t’u mbrojtur nga armët kimike dhe se nuk është çudi për ta përdorimi i këtyre armëve, transmeton KosovaPost.
Dzhaparova në deklaratën për AA lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, në Forumin “Doha 2022” i cili mbahet me temën “Transformimi për një epokë të re”, bëri të ditur se ushtria ruse nuk ka mundur të arrijë deri më tani objektivat e saj në terren.
“Sipas asaj që kemi dëgjuar, ata janë duke bërë përgatitje. Kolegët tanë në vijën e mbrojtjes flasin për përdorim të armëve kimike. Ne e dimë se çfarë vendi është Rusia. Për ne gjëja më e rëndësishme tani është mbrojtja”, tha Dzhaparova.
Dzhaparova shtoi se ajo që e forcon Rusinë në luftë është dominimi në sulmet ajrore. “Për mbylljen e hapësirës ajrore duhet të presim përdorimin e armëve biologjike dhe kimike. Shërbimi ynë inteligjent thekson se ushtarët rusë kanë marrë antidot për të mos u prekur nga armët kimike. Këtë mund ta presim nga Rusia, sepse i kanë kaluar të gjitha vijat e kuqe. Tashmë në vendin tim janë përdorur bomba fosfori. Prandaj përdorimi i armëve kimike nuk do të jetë surprizë. Mbështetje botërore ka, por nuk është e mjaftueshme”, tha ajo.
Pasi shpjegoi se kanë pritshmëri edhe nga vendet e Gjirit që prodhojnë naftë dhe gaz natyror, Dzhaparova theksoi:
“Vendet e Gjirit duhet ta dinë se siguria e Ukrainës është e rëndësishme edhe për ata vetë. Kjo do të thotë siguri edhe për qytetarët e tyre, për shembull siguria ushqimore. Shumë porte që sjellin produkte bujqësore si gruri në këto rajone janë aktualisht të pushtuara ose në shënjestër. Rusët duan të bllokojnë Detin e Zi dhe të na pengojnë të eksportojmë produkte drithërash si gruri në vendet e Gjirit”./AA