Në videomesazhin e tij të 17 shtatorit, MacKenzie e pranoi se më 29 gusht, Forcat Ajrore Amerikane kishin goditur makinën e një punonjësi të ndihmës humanitare në kryeqytetin afgan, duke vrarë 10 civilë, përfshirë 7 fëmijë, dhe kritikoi në mënyrë indirekte inteligjencën amerikane, transmeton KosovaPost.
Burime pranë CIA-s në një intervistë për televizionin “CNN” vunë në dukje se pak para goditjes së një automjeti të markës “Toyota” me raketë “Hellfire”, ushtria amerikane ishte paralajmëruar për praninë e civilëve në zonë.
Theksohet se CIA i kishte dërguar ushtrisë amerikane një njoftim urgjent, për praninë e civilëve në zonën e sulmit, dhe për fëmijët që gjendeshin brenda në makinë. Burimet e CIA-s shtuan se ata nuk ishin në dijeni se kishte kthyer përgjigje apo jo ushtria ndaj këtij informacioni.
Rrjedhja e këtij informacioni nga burimet e inteligjencës në median “CNN” i vendosi në qendër të vëmendjes deklaratat e MacKenzie.
Gjenerali MacKenzie tha se 48 orë para sulmit, CENTCOM kishte marrë një informacion sekret, sipas së cilit në shtëpinë në fjalë kishte luftëtarë të DAESH-it, dhe se në zonë mund të organizoheshin sulme, përfshirë aeroportin, duke përdorur bomba dhe raketa.
Thuhet se rrjedhja e një informacioni të tillë nga burimet e CIA-s pas deklaratave të gjeneralit McKenzie, që CIA e kishte paralajmëruar ushtrinë, tregon për tensionin që ekziston mes ushtrisë dhe inteligjencës amerikane në lidhje me këtë sulm./trt