I gjithë globi është në mesin e një vale të re të përhapjes së koronavirusit. Në 24-orëshin e fundit në mbarë botën u regjistruan 786 mijë raste të reja infektimesh, shifra e tretë më e lartë që nga nisja e pandemisë vitin e shkuar.
India është vendi që po përballet me situatën më të vështirë momentalisht, pasi regjistroi 145 mijë raste të reja dhe mbi 770 viktima.
Gjithashtu një situatë e vështirë paraqitet në Brazil, i cili raportoi 89 mijë infektime dhe mbi 3600 humbje jete. Problematike është situata edhe në spitale, ku më shumë se 8 mijë persona janë në gjendje kritike për jetën.
Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan një rritje tjetër të rasteve të reja, ndërsa mbajnë vendin e parë në botë sa i përket numrit të personave në terapi intensive.
Në kontinentin europian, Turqia vijon të ketë rritje të infektimeve, pasi edhe në këtë 24-orësh raportoi mbi 55 mijë raste të reja.
Vala e katërt e Covid-19 ka prekur edhe Francën, e cila pati gati një dyfishim të infektimeve. Ndërkohë që Italia dhe Polonia janë vendet europiane që shënuan numrin më të madh të fataliteteve në kontinent, me mbi 700 viktima secila./Tv Klan