Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, përmes një komunikate për media ka denoncuar qeverisjen komunale të kryeqytetit për shkelje të ligjit, transmeton Kosova Post.
Kjo është komunikate e plotë:
Gjatë 15 muaj qeverisje në Kryeqytet, ajo çfarë është evidente dhe në të njëjtën kohë shumë shqetësuese, është kapja e Ndërmarrjeve Publike Komunale e Regjionale dhe shkeljet e vazhdueshme ligjore nga partitë që janë në pushtet në Prishtinë.
Rasti i fundit ka të bëjë me zgjedhjën e anëtarëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Njëra nga anëtaret e zgjedhura, konkretisht zonja Fazlie Haziri Maloku, është aktualisht edhe UD e Kryeshefes Ekzekutive në Ndërmarrjen Regjionale “Pastrimi”.
Kjo është në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Personi i njejtë, pozita drejtuese në dy Ndërmarrje të ndryshme.
Në të dy këto Ndërmarrje, NPB dhe PASTRIMI, aksionarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë të subjektit Partia Demokratike e Kosovës, PDK.
Krejt kjo shpërfaq në mënyrë të qartë qasjën, tendencën dhe mendësinë e partive që qeverisin me Prishtinën: kapje, keqmenaxhim, papërgjegjësi, kaos total.
Si rezultat i veprimeve të tilla 1/3 e Ndërmarrjeve Komunale sot janë duke u hetuar nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit, kurse gjendja në qytet dhe shërbimet e ofruara nga këto Ndërmarre janë në nivelin më të ulët të mundshëm.
Kërkojmë nga organet kompetente mbikëqyrëse që të marrin masat e nevojshme dhe ta kthejnë ligjshmërinë në Ndërmarrjet Komunale. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kryetarit Rama që ta përdor autoritetin e tij, nëse sadopak ka autoritet, që të ndërpritet kjo fushatë agresive e kapjes dhe shkeljeve nga LDK dhe PDK në Komunën e Prishtinës.