Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) vendosën të përgatisin paketë të re sanksionesh dhe rritjen e mbështetjes me armë për Ukrainën pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalli mobilizim të pjesshëm, si dhe pas kërcënimit për përdorimin e armëve bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, ka thirrur ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së të cilët ndodhen në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në një takim të jashtëzakonshëm dhe të veçantë.
Në një deklaratë në përfundim të takimit, Borrell tha se në një pjesë të takimit mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe se ka ndarë informacione lidhur me zhvillimet e fundit.
“Është shumë e qartë se Putin po përpiqet të eliminojë Ukrainën. Po përpiqet ta eliminojë me rrugë të ndryshme vendin për shkak se ka dështuar në aspektin ushtarak”, tha Borrell.
Ai rikujtoi se në Rusi është shpallur mobilizim i pjesshëm dhe se është planifikuar që në territoret e pushtuara të Ukrainës të zhvillohet referendum i paligjshëm. Borrell vuri në dukje se Rusia gjithashtu ka bërë kërcënim për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, kryesisht të armëve bërthamore.
Ndër të tjera, Borrell shpjegoi se veprimet e Rusisë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në mbarë botën dhe se kjo ka shkaktuar pasoja globale serioze duke rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve.
“Kundër Rusisë do të propozohen menjëherë masa kufizuese shtesë”, tha Borrell, i cili shtoi se këto sanksione do të përgatiten në mënyrë të koordinuar me partnerët e tjerë.
Më tej Borrell rikujtoi se Ukraina përdor të drejtën legjitime të vetëmbrojtjes dhe se vendi mund të çlirojë territoret nën pushtim brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Pasi deklaroi se ata do të furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake për aq kohë sa të jetë e nevojshme, Borrell u shpreh se, “Do të vazhdojmë të sigurojmë armë dhe të mbështesim ushtrinë e Ukrainës”.
Po ashtu Borrell theksoi se deklaratat e fundit të Rusisë nuk do të ndryshojnë mbështetjen që ata do sigurojnë për Ukrainën.
Ai vuri në dukje se do të përcaktojnë sanksione të reja kundrejt Rusisë dhe tha se do të marrin “masa kufizuese edhe individuale edhe sektoriale”.
Ndaj pyetjes së një gazetari për detajet e paketës së sanksioneve dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën, Borrell u përgjigj, “E kuptoj se dëshironi të dini cili individ, cili sektor dhe në çfarë sasie. Vendimi i sotëm është një vendim politik”.
Pasi shpjegoi se po punojnë mbi një paketë sanksionesh që do të prekin pjesë të reja të ekonomisë ruse, Borrell tha se sanksionet e reja do të përfshijnë fushën e teknologjisë dhe individë të rinj.