Të shikoje rrugët e qytetit në vitin 2019, të mbushur me turistët që shijonin bukurinë e saj, ishte një ëndërr e vërtetë për banorët e Gjirokastrës, një qytet në jug të Shqipërisë.
Ky qytet është njohur si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për arkitekturën e tij të periudhës Osmane, shkruan AP News.
Por kjo përfundoi me vrull kur bota u mbyll.
I quajtur si “qyteti i gurit” për shkak të shtëpive dykatëshe me frëngji, që datojnë që nga shekulli i XVII, Gjirokastra dhe një qytet i dytë shqiptar, Berati, u regjistruan si një vend i trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 2005. Ata u cilësuan si “shembuj të rrallë të një karakteri arkitektonik tipik të periudhës Osmane”.
Pas rinovimit të qendrës së qytetit, Hysen Kodra, ishte midis banorëve të zonës që kthyen shtëpitë e tyre 200-300-vjeçare me fasada prej druri dhe çati me pllaka guri, në një strehim për mysafirët.
Megjithatë, 700 shtretërit turistikë në qendër të qytetit me shumë vështirësi mund të strehonin 120 mijë vizitorët në Gjirokastër, një vit para pandemisë së koronavirusit.
“Pandemia e preu papritmas, sikur me thikë”, thotë Kodra, bujtina e të cilit ka 13 dhoma në majë të një kodre, që tani është bosh. “Deri në vitin 2019 ne ishim shumë mirë, me gjithnjë e më shumë vizitorë çdo ditë. Dhe në vitin 2020 të gjitha dhomat e rezervuara u anuluan”, ka shtuar ai.
Kalaja e shekullit të XIII në majë të kodrës së qytetit dhe Pazari i Vjetër në formë radiale, i shekullit të XVII, ku turistët ecin nëpër rrugët me kalldrëm për të shijuar pjata me qofte ose fiq të thatë me qumësht delesh, ose për të parë dyqanet artizanale, perde, qilima, veshje popullor tradicionale, janë atraksionet kryesore në Gjirokastër.
Gjithashtu ekziston edhe një muze etnografik i vendosur në ish-shtëpinë e diktatorit të ndjerë komunist, Enver Hoxha dhe muzeu i sapo rinovuar kushtuar laureatit të letërsisë Nobel, Ismail Kadare.
Turizmi në Shqipëri, një nga vendet më të varfra të Evropës, solli rreth 9% të PBB-së në 2019-n dhe qeveria kishte shpresuar ta rrisë atë në 10% këtë vit.
Bujtina e Kodrës, e cila ka një pamje të plotë të Gjirokastrës, që ka një popullsi prej 30 mijë banorësh, është vendosur në vendin ku ishte monumenti i Hoxhës, i cili u hoq në 1991 pas rënies së regjimit komunist.
Disa vjet pas vdekjes së Hoxhës në 1985, familja e Kodrës u zhvendos për të lënë hapësirë ??për monumentin. Pas një proteste të studentëve që përmbyti regjimin komunist në 1990, familja mori pronën e saj përsëri.
Me asnjë industri tjetër në qytet, qeveria u përqendrua në rinovimin e shtëpive dhe rrugëve të saj tipike për të përgatitur turizmin.
Shtëpitë me frëngji u shndërruan në dyqane të vogla, bar kafeje ose restorante. Kishte një rritje katër herë të vizitorëve midis 2015 dhe 2019, shumica e tyre vinin nga Italia, Polonia, Franca dhe Spanja, si dhe një numër i vogël nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe Izraeli.
Manjola Bici, e cila drejton një dyqan të vogël në Pazarin e Vjetër duke shitur çajra dhe bimë lokale, tha se ka pasur një rënie prej 60% të vizitorëve dhe shumica e atyre që vijnë ende janë shqiptarë që zakonisht nuk kalojnë natën.
Pavarësisht përpjekjeve të reja për të promovuar qytetin në internet, të ardhurat kanë rënë në mënyrë drastike. Shumë dyqane qëndrojnë të mbyllura.g.shqip.