Qeveria e Kosovës mori vendim që nga sot të vendoset reciprocitet ndaj Serbisë, sa i përket targave të automjeteve.
Dokumentin në fjalë e ka nënshkruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndryshe me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Gjatë këtij viti, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat ‘KS’ dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.
Ndryshe që nga orët e para të mëngjesit në pikën kufitare Kosovë-Serbi, saktësisht në Jarinje janë vendosur forca të shumta policore nga Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës.
Të njëjtit po kujdesen nga afër për rend dhe ligj duke pas parasysh situatën që mund të krijohet nga ky vendim.