Ditë më parë Europa Nostra e ka përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e momumenteve më të rrezikuara në Evropë, shkruan Kosova Post.
Ky klasifikim, sipas Donika Gërvallës, Ministre se Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Hajrullah Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është i padrejtë dhe i pabazuar.
Të dy ministrat i kanë dërguar letër Europa Nostra-s, duke e cilësuar vendimin si të “ndikuar politikisht”.
“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra”, – thuhet më tej në letër.
Të dy ministrat i kanë ftuar zyrtarët e Europa Nostra-s, që të vijnë nga afër dhe ta vëzhgojnë situatën.
Letra e plotë:
I nderuari z. Hermann Parzinger, President Ekzekutiv i Europa Nostra,
Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës shprehim shqetësimin tonë për vendimin e Europa Nostra për të përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë”. Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra.
Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese. Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët.
Është vlerësim i pavarur dhe profesional i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara. Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tonë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e në veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit.
Vizita e delegacionit tuaj në Kosovë propozojmë të realizohet sa më shpejtë. Dëmin që ia keni shkaktuar reputacionit të Kosovës me vendimin tuaj të padrejtë dhe të pabazuar, duhet ta kompensoni pa vonesë. Jemi të prirur të besojmë që rezultati i vizitës dhe vlerësimit tuaj të gjendjes do të rezultojë me rishikimin e listës tuaj duke e larguar Manastirin e Deçanit.