Kohëve të fundit është raportuar për një numër të lartë rastesh të dhunës seksuale në vendin tonë e prej rasteve të dhunës, sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Kosovë është prekur kryesisht mosha e mitur.
Vetëm nga muaji janar i këtij viti e deri në prill janë raportuar 69 raste të dhunës, sulmit dhe ngacmimit seksual në vend.
Kur ndahen në kategori, del se në këtë periudhë të raportimit në Policinë e Kosovës janë regjistruar 28 raste të dhunës seksuale.
Veç tyre, janë edhe 21 raste të raportuara të sulmeve seksuale dhe 20 raste të tjera të ngacmimeve seksuale vetëm në këtë vit.
“Nga 1 janari deri më 30 prill, për katër muaj, ngacmime seksuale janë 20 vetëm në këtë vit, sulm seksual janë 21 dhe dhunim janë 28 raste”, kanë thënë nga PK-ja për “Zërin”.
Policia ndërkaq nuk ka ofruar të dhëna se sa nga këto raste janë me të mitur.
“Zyrtarët policorë nuk hyjnë që të shohin çfarë rastesh ka për arsye të mbrojtjes së të dhënave personale. Nuk e kanë këtë të drejtë. Përpos shifrës, nuk kemi asnjë të dhënë”, kanë thënë për “Zërin” nga Policia.
Numër i madh i rasteve të ngacmimeve seksuale ishte edhe në vitin 2019.
Gjatë atij viti janë raportuar 40 raste të ngacmimeve seksuale, ndërsa në vitin vijues pati rritje të rasteve të këtilla.
“Në vitin 2019 janë raportuar 40 raste ‘Ngacmim seksual’ dhe në vitin 2020 janë raportuar 48 raste. Këto janë raste të përgjithshme, d.m.th. nuk janë të ndara sipas moshës dhe as të ndara sipas rajoneve”, kanë thënë nga Policia.
Rasti i cili bëri bujë të madhe në vend ishte ai i raportuar javën e kaluar i ngacmimit seksual ndaj një nxënëseje të moshës 6-vjeçare në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Rasti kishte ndodhur më 24 prill të këtij viti e që në media ishte raportuar më 15 maj.
Në lidhje me rastin reaguan organizata të shumta dhe shoqëria sociale, ndërsa pati edhe protesta në sheshet e kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera.
Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ishte njëra ndër të cilat reagoi në lidhje me rastin.
“Është koha e fundit të luftojmë mendësinë ku vajzat vazhdimisht ngacmohen e rriten me idenë që duhet të mbrohen, të kenë kujdes e të privohen. Tani, si kurrë më parë, është koha t’i edukojmë djemtë tanë t’i trajtojnë motrat e shoqet e tyre të klasës si të barabarta me ta e me respektin dhe dashurinë që ato e meritojnë”, kishte shkruar ajo në një postim në Facebook.
Për këtë rast javën e kaluar edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist organizoi një protestë para objektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Prishtinë me moton “Siguri për vajzat në shkollë”.
Edhe më datën 20 të muajit maj u raportua për në rast të dhunimit ndaj një vajze të mitur në qytetin e Mitrovicës, për çka edhe u protestua nga qytetarët e Mitrovicës.
Protestuesit në këtë rast kërkuan që emrat e përdhunuesve e ngacmuesve seksualë të publikohen.
Ndaj këtij rasti kishte reaguar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ftoi organet e hetuesisë që të kryejnë punën e tyre dhe të dyshuarit të marrin dënimin e merituar.
“E dënoj ashpër rastin e dhunimit të vajzës së mitur, që ka ndodhur para dy ditësh në një fshat të Mitrovicës. Ftoj organet e hetuesisë që ta kryejnë punën e tyre me efikasitet, ku kryerësit e këtij akti të tmerrshëm duhet të marrin dënimin e merituar sa më shpejt që është e mundshme”, kishte thënë ai përmes një shkrimi në Facebook. /Zëri