Pesë persona, të cilët u vranë javën e kaluar në një sulm në Norvegji, janë sulmuar me një objekt të mprehtë e jo me hark e shigjeta, siç është raportuar fillimisht, thanë hetuesit policorë.
I dyshuari, Espen Andersen Brathen, qëlloi në drejtim të njerëzve me hark e shigjeta në Kongsberg, afër kryeqytetit Oslo, shkruan BBC.
Megjithatë, hetuesit thanë se i dyshuari në një moment ose e ka hedhur harkun ose i ka humbur.Ky ishte sulmi më i rëndë në Norvegji që nga koha kur ekstremisti i së djathtës, Anders Breivik, masakroi 77 njerëz një dekadë më parë.
Policia norvegjeze tha të hënën se pesë persona janë vrarë me një objekt të mprehtë në shtëpitë e tyre dhe në hapësira publike, pa dhënë hollësi të tjera.
Përmes një deklarate, policia tha se informatat për llojin e armës nuk mund të jepen për shkak se ende nuk janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët.Autoritetet e sigurisë gjithashtu thanë se viktimat sulmuesi i ka përzgjedhur rastësisht dhe se në fillim të sulmit, disa njerëz janë qëlluar me shigjeta, por asnjëri nuk është vrarë prej kësaj arme, transmeton gazeta Express.I dyshuari me shtetësi daneze, për të cilin raportohet se ishte konvertuar në mysliman, është duke u mbajtur në ndalim në një qendër mjekësore në pritje të vlerësimit të shëndetit mendor. Ky proces mund të zgjasë disa muaj.