I shumëprituri Virgil van Dijk u kthye në fushë në mbrojtjen e Liverpool FC pas nëntë muajsh. Pak i ‘ndryshkur’ ishte holandezi por ka shenja që do të jetë në formë pas ndërhyrjes kirurgjike në gju vitin e kaluar.
Kthimi i Virgil van Dijk dhe Joe Gomez do të jenë përforcim për Jurgen Klopp në sezonin e ri të Premier League.
Mbrojtësi holandez u paraqit për 23 minuta dhe ishte pjesërisht fajtor për një gol në miqësoren kundër ekipit gjerman Hertha Berlin, transmeton Metro.
Mbrojtësi anglez Joe Gomez hyri në fushë si rezervist po ashtu në ndeshje që u humb nga anglezët me rezultat 3:4 në fazën përgatitore të klubit në Austri.
Mungesa e van Dijk ishte ndjerë shumë sezonin e kaluar në Liverpool që shpesh është shtylla mbajtëse e klubit në fushatën e tyre për tituj.
Ende nuk dihet nëse Virgil van Dijk dhe Joe Gomez do të jenë të gatshëm për ndeshjen e parë në Premier League me 14 gusht kundër Norwitch.