Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i siguroi qytetarët e Kosovës se vaksinat antiCOVID janë të sigurta dhe se deri më tani s’ka pasur asnjë efekt anësor prej tyre.
Këtë deklaratë ai e tha gjatë seancës që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ku dhe i bëri lutje individëve të caktuar dhe opozitës që të jenë bashkë në këtë proces e të mos i bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë dyshime.
“Ju garantoj që në asnjë moment nuk do lejojmë dhe nuk do të bëjmë asgjë që t’i rrezikojmë qytetarët me vaksina ashtu siç pretendohet, sepse të gjitha vaksinat janë të sigurta. Vaksinohuni sepse është për të mirën e përbashkët”.
“Për ju individë të caktuar që nuk doni të na ndihmoni, mos u mundoni të na bëni dëme, sepse s’po e dëmtoni as Ministrinë e Shëndetësisë e as Qeverinë, por qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi Vitia.
Ai po ashtu sqaroi se tashmë është zgjidhur edhe problemi me mungesë të insulinës, duke thënë se ashtu siç edhe ka deklaruar, procedurat kanë përfunduar dhe nga java e ardhshme do të shpërndahen nëpër të gjitha qendrat e mjekësisë familjare.