Vjosa Osmani ia numëron Vuçiqit marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

Vjosa Osmani ia numëron Vuçiqit marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook, ia ka numëruar presidentit serb Aleksandër Vuçiq marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar deri më tani.

Osmani ka thënë se Vuçiqi mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar.

“Vucic mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë i Osmanit në Facebook:

Vucic mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar. Shpresoj që pala kosovare (Presidenti ynë si kryenegociator i vetëshpallur) t’ja ketë përmendur bile disa nga shkeljet e mëposhtme të detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje:

1. Moszbatimi i Marrëveshjes së Parimeve të v.2013 (Plani i Zbatimit), ku kërkohet që të dyja palet të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar.
2. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e v.2013.
3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e v.2013 që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve duke nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë; shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, etj.
4. Mosbatimi i marreveshjes per energji, duke mos lejuar asnjë përparim në zbatimin e pjesëve të kësaj marrëveshjeje dhe Marrëveshjes për KOSTT-ENTSO-E.
5. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nepermjet ndalesave qe Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi; mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj.
6. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”
7. Moszbatimi i marrëvëshjes për mbrojtjen civile, duke nxitur këta anëtarë të ‘integruar’ që mos t’i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës dhe mos t’ i raportojnë institucioneve të Kosovës.
8. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët.
9. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore, pengon ndërtimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar sipas marrëveshjeve etj.
10. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia.
11. Shkelja e marrëveshjes për diploma, ku poashtu nuk ka asnjë përparim.
12. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat në veri që mos të bashkëpunojnë, dhe duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme;
13. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit parlamentar ose të tjera;

Lista vazhdon…

Me tërë këto shkelje, e shumë të tjera, Vucic vazhdon të bëjë atë që bënë më së miri qysh nga koha e Milloshevicit, pra PROPAGANDËN, të cilën e ka udhëhequr përgjatë luftrave dhe gjenocidit të forcave serbe kundër popullatës civile në Kosovë, Bosnje e Kroaci..