Një vit më parë, Gjeneva nuk ishte në qendër të vëmendjes diplomatike. Kjo sepse administrata Trump ndiqte politikën “Amerika e Para”, e cila injoronte ndërkombëtarizimin që përfaqëson qyteti zvicerian, gjë që solli si rezultat edhe një qasje të ashpër ndaj institucioneve kryesore të saj si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Por tani që Shtetet e Bashkuara udhëhiqen nga një administratë e re, kjo qasje i përket të kaluarës.
Qyteti buzë liqenit, i njohur si udhëkryq i Luftës së Ftohtë dhe qendër e lirisë zviceriane, i paanshëm dhe humanitar, do të kthehet në qendër të vëmendjes botërore pasi aty takohen të mërkuren Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin.
Kjo shënon herën e tretë që në Gjenevë mbahen bisedime mes udhëheqësve amerikanë dhe rusë. I pari ishte një takim multilateral ku bënte pjesë Presidenti amerikan Dwight Eisenhower dhe udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev më 1955.