Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për vjedhje të rëndë.
Policia ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij muaji i ka dhënë përparësi luftës kundër disa shqetësimeve të komunitetit në lidhje me rastet e vjedhjeve në zona të ndryshme.
Zëdhënësi i PK-së, Agron Borovci, ka thënë për lajmi.net se puna policore e organizuar me veprime specifike operative me qëllim të kapjes së personave, për të cilët dyshohej se janë përfshirë në raste të vjedhjeve dhe raste të vjedhjeve të rënda, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar të implikuar në rastet e tilla.
Borovci ka bërë të ditur se dje policia ka arrestuar personat me inicialet B.S., 41-vjeç shtetas kosovar dhe M.SH. 39-vjeç shtetas kosovar, nën dyshimin e arsyeshëm për përfshirje në rastin e vjedhjes së rëndë dhe keqpërdorim të besimit të ndodhur më 25 tetor të këtij viti në Terminalin Doganor në Merdare, ku dyshohet se janë vjedhur cigare në vlerë rreth 50 mijë euro.
Të dyshuarit pas arrestimit me rekomandim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.