A mund të vritet një qytet i tërë? A vritet qyteti duke ia vrarë banorët, apo duke ia vrarë të gjitha shpresat për të ardhmen?
Shkruan: Qerim Ondozi
Këto janë pra dy lloje vrasjesh: vrasja fizike, dhe vrasja shpirtërore – vrasja e shpresës.
Rahoveci, qytezë në jugperëndim të Kosovës, i njohur për bujqësi dhe kultivim të rrushit, i njohur për popullsi të urtë e shumë punëtore, u vra për herë të parë në korrik të vitit 1998. Sipas të dhënave preliminare të Fondit për të Drejtën Humanitare (http://www.kosovskaknjigapamcenja.org/?page_id=229&lang=zh&page=32) në datat 17-21 korrik të vitit 1998 në Rahovec u vranë mbi 100 persona, pjesë dërmuese e tyre civilë, gra e burra. Në një aksion të ushtrisë çlirimtare e cila popullsinë lokale e zuri tërësisht të papërgatitur humbën jetën mbi 100 persona dhe humbën shpresën mbi 10 mijë persona.
Lufta ka prirje t’i shohë humbjet e luftës si e dhënë statistikore…
Lufta ka prirje t’i ndajë vdekjet në mbytje, vrasje, martirizim…
Lufta ka prirje t’i ndajë të vrarët në të rënë, dëshmorë, martirë, ushtarë…
Lufta ka prirje t’i bëjë disa vrasje të rëndësishme – të tjerat më pak të rëndësishme.
Lufta ka prirje t’i marrë fitoret për humbje e humbjet për fitore.
Lufta ka prirje të shpallë heronj, tradhtarë, frikacakë, ikës…
Lufta vret njerëz dhe vret shpresa.
Popullsia e cila në mënyrë masive u largua nga Rahoveci në korrikun e kobshëm të vitit 1998 u kthye pas disa ditësh për ta gjetur qytetin tërësisht të shkatërruar, të djegur e të vrarë. Qyteti ishte kthyer në një rrënojë, me shtëpi të shkrumuara, me rrugë pa qarkullim, me gëzhoja gjithandej. Ndërsa ata që po ktheheshin, vinin me një bagazh humbjeje për t’u kthyer në një qytet të cilit i ishin vrarë shpresat.
Vrasja e dytë ndodhi pas vitit 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë dhe kur ky vend mori rrugën drejt pavarësimit për të cilin u derdh aq shumë gjak.
Disa qytete përparuan, disa jo. Disa përfituan të kurriz të së drejtës historike, politike, patriotike, të diskriminimit pozitiv, disa jo. Disa përfituan në kurriz të “kontributit dhe sakrificës sublime” disa jo (unë ndonjëherë them se rahovecianët asnjëherë nuk kanë pasur aq sukses në nivel qendror sepse kurrë nuk u ka ecur për dore krimi i organizuar – ironike).
Vrasja e dytë ndodhi kur arteriet e ekonomisë së Rahovecit u privatizuan. Kur një ndërmarrje shoqërore e cila punësonte aq shumë njerëz (jo se e njoh fort sistenim e majtë ekonomik) u privatizua për të vazhduar biznesin, mbase jo fort në favor të banorëve të Rahovecit. Por, hej, tregu i lirë kërkon fuqi të lirë punëtore, dhe gjithçka në suaza të respektimit të ligjit…
Vrasja e dytë ndodhi kur Rahoveci u anashkalua tërësisht nga pushteti qendror. Thonë se Rahovecit i ndodhi kjo sepse nuk të bjen rruga andej, nuk je në ndonjë magjistrale e autostradë si Malisheva, ta zëmë, e cila ka lulëzuar nga viti 1999 e këndej.
Vrasja e dytë ndodhi edhe kur pushteteve lokale nuk iu bë fort vonë për zhvillimin e qytetit, kur krejt zhvillimin e përmblodhën në ato gjëra që do t’u sillnin vota në zgjedhjet e radhës, në infrastrukturë të matshme, të prekshme në plotësimin e “kritereve” për të dalë si komuna më e mirë në botë, komuna më transparente, komuna e parë.
Vrasja e dytë është e ngadaltë dhe e vazhdueshme, taman si agoni. Është kjo vrasje që Rahovecin e ka bërë vend ku dy pyetjet retorike më të zakonshme që mund t’i dêgjosh rrugëve janë: “e ku me shku?!”, dhe “e çka me bo!?”
Nuk kam vizituar qytezat e tjera të vogla të Kosovës, por ky vend duket sikur i është ndalur koha, sikur asgjë s’po lëviz. Dhe kjo është për të ardhë keq. Rahoveci është shndërruar në një vend ku të rinjtë, me pretekstin e studimit, largohen dhe shkojnë në Prishtinë për të mbetur atje dhe për të mos u kthyer më (unë jam njëri prej tyre).
Dhe 23 vjet pas korrikut të kobshëm, asnjëherë nuk arritëm të organizonim diçka dinjitoze që do t’i kujtonte domethënëshëm viktimat e këtyre masakrave dhe do t’u ndihmonte të mbijetuarve të ballafaqoheshin me të kaluarën në një mënyrë më të denjë, më meritore. Mbase heshtja është mënyra jonë e ballafaqimit me të kaluarën. Mbase jo.
Rahoveci, tamerrmendja, meriton më shumë. Dhe uroj që 23 vite të jenë mjaft për të nisur një rrugë më të mbarë drejt ngjalljes aq të pritur dhe aq të merituar.